Skënderbeu nis testimet, klubi është i dyzuar për largimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2024 | 16:40

Skënderbeu nis testimet, klubi është i dyzuar për largimet

Skënderbeu ka startuar përgatitjet me fillimin e vitit 2024, atje ku bardhekuqtë janë grumbulluar dhe janë vënë nën urdhrat e trajnerit Ivan Gvozdenoviç.

skenderbeu

Por në ditën e parë të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit, bardhekuqtë kanë pasur edhe fytyra të reja në ekip. I tillë është rasti i 18-vjeçarit Brian Pika i cili ka qenë pjesë e ekipeve të moshave në Belgjikë dhe vjen në provë te Skënderbeu. Ende nuk dihen shumë të dhëna për lojtarin në fjalë, pasi në klub po tregohen hermetikë sa i përket detajeve. Kjo për dy arsye.

E para, merkatoja e Skënderbeut mbetet ende e bllokuar dhe nuk ka asnjë mundësi për momentin që të kryhen transferime në hyrje dhe së dyti, Pika është vetëm në provë dhe do të jetë trajneri Ivan Gvozdenoviç ai që do të vendosë nëse do të vijojë sezonin me bardhekuqtë, apo do të mbyllë thjesht me një eksperiencë prove. Sa i përket 18- vjeçarit, ai luan si sulmues në gjithë repartin e avancuar teksa ende nuk ka debutuar në futbollin profesionist, por ka qenë vetëm në ekipet e moshave dhe akademi të ndryshme në Belgjikë.

Si rasti i Pikës, pritet që këto ditë të ketë plot të tjera që do të bashkohen me Gvozdenoviç në provë. Kjo edhe për vetë faktin se në këtë periudhë korçarët nuk duan të shpenzojë dhe nuk gjejnë dot lojtarë cilësorë nga klube të tjera, ndaj e vetmja mënyrë mbetet afrimi i elementëve të rinj me pritshmëri dhe të dhëna të mira për të ardhmen. Por edhe kjo do të vendoset në javën e dytë të janarit atëherë kur të mësohet diçka më shumë rreth bllokimit të merkatos që i është caktuar Skënderbeut për mosshlyerje në kohë të detyrimeve të ish-lojtarëve.

LARGIMET – Ashtu siç priten afrime mendohet që nga klubi bardhekuq të ketë edhe largime, por edhe skarcime nga ana e klubit. Një situatë e tensionuar pas ndeshjes së humbur me Vllazninë nuk do të kalohet pa ndëshkime nga ana e presidentit Takaj që do të marrë masat e veta për një pjesë të lojtarëve, ku nuk përjashtohen edhe ato më ekstremet. Nga ana tjetër po shihet mundësi për të vepruar në merkaton në dalje për ofertat që janë konkrete drejt lojtarëve dhe Skënderbeu po qëndron vigjilent në këtë aspekt.

Kjo edhe për faktin se me shitjen e ndonjë prej lojtarëve mund të sigurohen të ardhurat e duhura për të mbyllur të qetë sezonin dhe pa probleme financiare të theksuara. Kujtojmë që prej dënimit nga UEFA, Skënderbeu është duke mbijetuar vetëm me të ardhurat që vijnë nga shitjet e lojtarëve si mënyra e vetme për të mbajtur gjallë ekipin dhe fondi i caktuar nga Bashkia e Korçës me buxhetin e çdo viti.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"