Skënderbeu fillon të lëvizë: Agostineli, Fukui dhe një “kuqezi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2016 | 9:28

Skënderbeu fillon të lëvizë: Agostineli, Fukui dhe një “kuqezi”

Andrea Agostineli është shumë pranë rikthimit në kampionatin shqiptar, por këtë herë me skuadrën e Skënderbeut. Burime të rezervuara nga klubi korçar kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se Mirel Josa nuk do të jetë më në krye të ekipit për sezonin e ardhshëm dhe vendin e tij do ta zërë ish-trajneri i Partizanit, i cili sezonin e shkuar rivalizoi me korçarët deri në javën e fundit për të fituar titullin kampion.

agostineli

Por, nëse drejtuesit e kuq nuk ia dhanë besimin për të vazhduar punën në krye të skuadrës, një gjë të tillë duket se do ta bëjnë korçarët. Bisedimet mes palëve mësohet se kanë ecur në rrugën e duhur dhe është vetëm çështje ditësh që të zyrtarizohet marrëveshja dhe trajneri italian të vijë në vendin tonë për të marrë zyrtarisht drejtimin e ekipit gjashtë herë rresht kampion.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, gjatë ditës së djeshme trajneri nuk ka mohuar tratativat, por gjithashtu nuk ka dhënë shumë informacione. “Për momentin ka pasur vetëm bisedime dhe interes, asgjë konkrete”, ka qenë përgjigjja e trajnerit që bëri një punë të mirë në krye të Partizanit. Ndërkaq, mësohet se alternativa kanë qenë edhe dy trajnerë të tjerë italianë, Mario Soma që ngjiti Empolin në Serinë A dhe Alberto Malezanin.

Merkato

Pas tri afrimeve të para te korçarët të Argjend Mustafës, Shend Kelmendit dhe Hektor Idrizajt, në kampin bardhekuq është afruar edhe ish-sulmuesi japonez i Tiranës, Masato Fukui. Bardhekuqtë kanë arritur akordin me Fukuin dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i kësaj lëvizjeje. Burime të besueshme të gazetës bënë me dije paraditen e djeshme se emri i Masato Fukuit, që prej ditësh po qarkullonte në kampin bardhekuq, tashmë është konkretizuar.

fukui

Klubi ka arritur akordin me lojtarin japonez që pritet të përfitojë rreth 10 mijë euro në muaj duke bërë kështu përforcimin e parë të rëndësishëm. Masato Fukui ndodhet në “Tropikal Resort” dhe prej ditës së sotme mund të nisë stërvitjen me bardhekuqtë e Skënderbeut. Gjithashtu, burime pranë presidentit kanë bërë të ditur se është arritur akordi edhe me ish-mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Jurgen Gjasula. Lojtari, i cili ka qenë te Grojter Furth në Gjermani, pritet të jetë pjesë e korçarëve. Gjithashtu, është arritur akordi edhe me mesfushorin Matheu Boniface të Aris Limasol.

Armand Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"