Sinemati thumbon Balajn: Mjafton mos të keni punë me arbitrat, nga sjellja e tyre kuptohet dhe fundi i kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 22:48

Sinemati thumbon Balajn: Mjafton mos të keni punë me arbitrat, nga sjellja e tyre kuptohet dhe fundi i kampionatit

Vllaznia po kalon një formë fantastike në kampionat dhe bashkë me të, edhe Bekim Balaj. Kapiteni i kuqebluve, në një intervistë për “Procesin Sportiv”, u ndal te Kombëtarja, që sipas tij nuk duhet të futet mes sulmuesve që përflitet se do të shkojnë në Europian.

balaj

“Ka momente që nuk përshtatesh, por çdo lojtari i duhet ajo koha e vetë. Nuk do ta quaja përshtatje, por ka momente kur gjërat nuk funksionojnë, kur gjërat nuk ecin dhe duhet punuar akoma më shumë për ta kthyer situatën.

Silvinjo? Kemi fatin që trajneri rri në Shqipëri dhe ndjek kampionatin shqiptar (qesh). Kombëtarja po kalon një moment shumë të mirë. Sulmi i Kombëtares është i mbingarkuar me lojtarë  që realisht po bëjnë shumë mirë. ndoshta, të hyj dhe unë te ajo konkurrenca për sulmin nuk është momenti. Kanë bërë shumë mirë, kanë bërë paraqitje të jashtëzakonshme me ekipin në këto eliminatore dhe normalisht që s’besoj se do ketë shumë ndërrime ai ekip që do na përfaqësojë me dinjitet në Europian.

Takim me Silvinjon? Kontakte kemi, ndonjëherë takohemi, por ajo mbet në kuadrin e miqësisë”, tha si fillim Balaj në “Procesin Sportiv”.

Më pas kapiteni i Vllaznisë pati dhe disa polemika me gazetarin e njohur, Gëzim Sinemati, i cili përmendi se fati i kuqebluve ka ardhur dhe pas vizitës që presidenti Duka bëri në Shkodër.

balaj sinemati

Sinemati: Balaj, 15 gola janë… 8 nga 11-metërshi…

Balaj: E rëndësishme është që janë gola profesor.

Sinemati: Kishim në intervistë presidentin e Vllaznisë. Dhe kur filloi të shpjegonte për shumë arsye këtë kthesën e Vllaznisë, tha që festa ka filluar me kohë, trajneri ka ardhjen e vetë, dora e drejtorit. Por harroi dhe një ardhje… Qëkur ka ardhur presidenti në Shkodër, ndryshuan rezultatet. Ka qenë mbarësi qëkur erdhi presidenti Duka në prezantimin e drejtorit?

Balaj: Sigurisht që ardhja e presidentit Duka ka qenë ndoshta një mision, që realisht është i domosdoshëm në Shkodër. Një projekt që Shkodra e ka të domosdoshme është ai i fushave, atë të ndërtimit të infrastrukturës dhe mendoj që Federata është gjendur afër Vllaznisë dhe afër Shkodrës siç po bën në tërësi në futbollin shqiptar. Mund të them që Vllaznia nuk lidhet me ardhjen e presidentit Duka, ai i viziton të gjitha ekipet, apo të gjithë qytetet në Shqipëri. Por që Vllaznia po bën mirë sepse realisht ka forcë për të bërë mirë.

Sinemati: E di kush është e mira Balaj? Mjafton të mos keni punë me arbitrat. Po ishe i ngrohur me arbitrat që ke kundërshtar, pastaj mendja është top për të dalë sipër. Kështu që është plus i madh për Vllazninë këtë vit. Këtë plus e kanë pasur dhe kampionë të tjerë vitet përpara. Nga sjellja e arbitrave, ne kuptonim fundin e kampionatit. Kryetari i Bashkisë po del aq shpesh, saqë më tha njëri, nuk po merret vesh kush është trajneri tani. Do t’ia lësh suksesin Vllaznisë? A janë trashëgimtarë të Vllaznisë së famshme? Lërja futbollin natyral, të jetë fitorja e Vllaznisë, mos të përfshihen shumë politika. Sepse dhe njerëzit do thonë pastaj që është triumf politik ai i Vllaznisë”.

Pas këtij diskutimi, Balaj u ndal dhe te penalltitë e shënuara dhe shpërblimi që sipas tij, janë paratë e mbledhura në këto 23 vite për Vllazninë që të dalë kampione.

Ndoshta numri i lartë i penalltive është rritur me ardhjen e VAR-it. Kontakte që më parë për arbitrin nuk jepnin atë sensin e penalltisë, kur e sheh në pamje filmike dhe të ngadalësuar ta krijon përshtypjen e një penalltie. Shpresoj të kemi sa më shumë penallti. Kam bërë 8, shpresoj që të bëj 20 nga penalltitë, pse jo. Janë gola që në fund kthehen në pikë për skuadrën dhe objektivat.

Jam i bindur se shpërblimi do të jetë shumë i madh, sepse ato para janë kursyer prej 23 vitesh (qesh). Mund të them që prezenca në stadium ka qenë në kuadrin e tifozëve, sepse kjo ecuri e Vllaznisë i ka pëlqyer. Duhet të jeni dhe ju të pranishëm që ta përjetoni këtë emocion që po përjeton Shkodra”, përfundoi Balaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"