Sinella: Fitore e lehtë ndaj Korabit, nesër jam tifoz i Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2017 | 19:25

Sinella: Fitore e lehtë ndaj Korabit, nesër jam tifoz i Skënderbeut

Trajneri i Laçit, Bledar Sinella, e cilësoi si të lehtë fitoren 2-0 kundër Korabit në shtëpi. Në një prononcim për “Gol pas Goli” ai tha se vështirësia më e madhe ishte ta motivonte skuadrën e tij. Sinella pranoi se do të bëjë tifo për Skënderbeun në ndeshjen e nesërme kundër Flamurtarit, rivalit direkt në luftën për mbijetesë.

Sinella

Deklaratat e Sinellës:

“Arritëm ta zgjidhnim shumë shpejt ndeshjen. Në fakt, vështirësia ishte ta motivoja skuadrën, pasi përballë një kundërshtari si Korabi ekipi e ka të vështirë të motivohet. Megjithatë arritëm të gjejmë motivimin e duhur dhe ta fitonim këtë ndeshje me lehtësi, pasi i shënuam shumë shpejt dy golat. Më tej shkuam në vetëkënaqësi duke shpërdoruar shumë raste dhe lejuar kundërshtarin që të luante. Gjithsesi, për ne të rëndësishme janë tri pikët ndaj çdo kundërshtari. Sot fitorja ishte me detyrim-përcaktim.

A patëm frikë se mund të ndëshkoheshim? Normale, në ndeshje të tilla mund të ndodhë gjithçka. I lamë shumë hapësirë kundërshtarit në pjesën e dytë, megjithatë edhe ne patëm shumë raste për të shënuar. Ky është edhe defekti ynë, që shpërdorojmë shumë raste. Gjithsesi, rezultati ishte i pastër dhe loja gjithmonë nën kontroll.

Normalisht që do të mendonim për ndeshjen e radhës, pasi siç dihet kemi grup të kufizuar lojtarësh dhe disa prej tyre do mundohemi t’i ruajmë nga lodhja apo dëmtimet.

Nesër tifoz me Skënderbeun? Normale që do jem, nuk kam pse fsheh asgjë. Por ne duhet të marrim pikët tona, pastaj të shohim atë çka do të bëjnë kundërshtarët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"