Sina: Halili më largoi se… kam fituar 21 trofe. Penallti për turp nga arbitri i FIFA-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2018 | 22:55

Sina: Halili më largoi se… kam fituar 21 trofe. Penallti për turp nga arbitri i FIFA-s

Sfida e Tiranës me një rival direkt ka treguar edhe një herë forcën e skuadrës kryeqytetase në Kategorinë e Parë. I këtij mendimi është ish-kapiteni i bardhebluve, Elvis Sina. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi ngre pikëpyetje mbi zëvendësimet e kryera nga trajneri Ze Maria, si dhe e komenton si të turpshme 11-metërshin e akorduar nga Jorgji.

elvis sina

Pritej revansh i Tiranës në Ballsh, por nuk mori më shumë se barazim. Si e patë këtë përballje?

Unë e pashë ndeshjen dhe Tirana luajti shumë mirë. Arriti edhe të kalonte në avantazh. Duke qenë kështu, mendoj se vetë lojtarët duhet të ishin treguar më të kujdesshëm për pjesën e mbrojtjes. Si lojë, Tirana e meritonte fitoren, por futbolli i ka të tilla episode. Kjo kaloi si kaloi dhe duhen fituar ndeshjet e tjera.

Por vendosi një penallti, e cila është kontestuar nga Tirana…

Ajo penallti më është dukur shumë e turpshme. Aty nuk kishte asnjë kontakt dhe lojtari i Bylisit u rrëzua menjëherë. Ai po priste të futej në zonë dhe arbitri m’u duk gati për ta dhënë si penallti. Jorgji, me këto gjëra që po bën, po tregon se edhe ekipet e tjera të Superiores si Kukësi apo të tjera që e bëjnë “non grata”, nuk qenkan kot. Më vjen keq vetëm për faktin që bëhen gabime foshnjarake nga një arbitër që ka stemën e FIFA-s.

Çështja e arbitrimit të Tiranës, mendoni se ka lidhje me situatën paszgjedhore në federatë?

Jo, fare! Ishte thjesht një gabim i arbitrit. Nuk mendoj se arbitrat janë të komanduar nga federata, duke qenë se kolegjiumet janë të ndara nga institucioni. Ishte një gabim i Jorgjit, i cili po priste me padurim që të rrëzohej një lojtar i Bylisit në zonë.

elvis sina

Si ju dukën zëvendësimet e kryera në një ndeshje kyçe si kjo?

Është diçka me vend. Unë mendoj se sulmuesi Ngo, i cili është potent, sipas meje, nuk duhej ndërruar. Në të gjitha ndeshjet që janë luajtur, Ngoo zëvendësohet me Halilin, i cili është një lojtar i ri me perspektivë, por që nuk ka forcën e tij. E them këtë, sepse Ngoo minimalisht mban dy mbrojtës në zonë për vetë cilësitë që ka, duke qenë i gjatë, i fortë në lojën në ajër, i fortë fizikisht, i fortë edhe në lojën tokazi. Gjithashtu, zëvendësimi i Erandos, i cili, edhe pse mund të ketë bërë të gjitha ndeshjet nga 90 minuta, në një ndeshje të tillë nuk duhej zëvendësuar. Kjo, për vetë faktin se ka eksperiencë dhe është lojtar që e di se si mund të fitohet 3-pikëshi. Vërtet që më bënë përshtypje ndërrimet, por trajneri e di vetë dhe merr përsipër përgjegjësitë.

Sa e rrezikon ngjitjen, meqë në dy ndeshje nuk e mundi Bylisin?

Është sfidë që i ka të gjitha rezultatet dhe, sipas meje, nuk ndikon në të ardhmen e ekipit për Superioren. Tirana do të jetë në Superiore dhe pikë! Jo se e them unë, por e tregojnë faktet, organika, ndeshjet, organizimi, loja dhe gjithçka me të cilat meriton të jetë në Superiore.

Sina, si e shihni situatën e futbollistëve në ditët e sotme, fakti që kanë kontrata të detajuara në krahasim me kohën tuaj?

Lojtarët sot kanë fatin e madh, që edhe sikur 0.5 lekë të firmosin, e kanë të garantuar nga federata dhe rregullat. Duan apo nuk duan president dhe klubet, janë të detyruar që t’i bëjnë pagesat e nënshkruara dhe kjo është një garanci dhe diçka shumë pozitive për futbollin. Në kohën tonë, nuk kanë qenë këto rregulla strikte dhe klubet nuk mund të tallen më me lojtarët dhe t’i largojnë për pakënaqësi të presidentit apo gjithkujt tjetër, apo nëse nuk e do shefi i klubit. Kjo gjë më ka ndodhur edhe mua personalisht kur kam qenë te Tirana, për një debat që pata me presidentin e atëkohshëm. U largova sepse kështu donte ai.

Pakënaqësi e momentit bëri presidentin Halili të kërkonte largimin?

Nuk ishte e momentit, por duke qenë se unë personalisht nuk kam qenë lojtar problematik dhe kokëfortë, po kokulur dhe gjithmonë kam parë punën time, të cilën e kam bërë shumë mirë. Këtë e tregojnë faktet dhe trofetë që kam fituar, të cilët janë 21 të tillë me Tiranën. Ishte situata e atëhershme, pasi mund të largoheshe vetëm se mërzisje një person. Ka pasur shumë bërryla, të cilët shkaktonin largime të tilla.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"