Shqiptarët kampionë, 89 trofe në duart e kuqezinjve nëpër botë. Strakosha i fundit, Agolli për rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2019 | 20:16

Shqiptarët kampionë, 89 trofe në duart e kuqezinjve nëpër botë. Strakosha i fundit, Agolli për rekord

Thomas Strakosha është shqiptari i fundit që ka ngritur një trofe në qiell, teksa ia doli ndaj Atalantës me Lacion që të fitojë Kupën e Italisë. E teksa përballë kishte Berat Gjimshitin në fushë dhe Etrit Berishën nga stoli, gardiani kuqezi koleksionoi të tretin trofe të fituar në karrierë me skuadra (Lacio dhe të rinjtë e Lacios).

strakosha

“Panorama Sport” bën një skaner të të gjithë trofeve të fituar nga kuqezinjtë me skuadrat e tyre në karrierë, për të gjithë kuqezinjtë që janë pjesë e Kombëtares. Sigurisht që gama e kuqezinjve mund të jetë akoma edhe më e gjerë, mirëpo në total, nga ky vëzhgim 89 trofe kanë fituar futbollistët e Kombëtares.

REKORDET

Me një vëzhgim të përgjithshëm, Ansi Agolli është kampioni. Nga të gjithë lojtarët e përfaqësueses që janë ende në aktivitet me klube, mbrojtësi anësor i majtë ka koleksionuar 16 trofe, ku i fundit ishte vetëm një javë më parë me Karabak, pjesë e të cilit ka qenë deri në muajin shkurt. Tetë prej tyre, Agolli i ka fituar në vendin tonë.

Tre herë kampion në Kategorinë Superiore, dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë dhe 3 Superkupa të Shqipërisë me fanellën e Tiranës janë arsenali i trofeve që mbrojtësi i majtë ka fituar në Shqipëri. Më tej, vijojnë pesë kampionate në Azerbajxhan, duke përfshirë edhe këtë që sapo përfundoi, si dhe tri herë fitues në Kupë me Karabakun. Tanimë, Agolli po vijon karrierën e tij në Amerikë me Nju York Kozmos. I radhës që gjithashtu ka një gamë të gjerë trofesh të fituar në vendin tonë është ish-mesfushori i Tiranës dhe i Skënderbeut. Sabien Lilaj me 11 trofe, renditet në vend të dytë në këtë klasifikim kampionësh. Ndërsa i treti është Taulant Xhaka, i cili këtë vit është ende në garë për një trofe me Bazelin.

Capture

Capture1

FITUES

Arlind Ajeti është gjithashtu një nga futbollistët që konsiderohet me një numër të madh trofesh të fituar me skuadra. Teksa nuk janë marrë në vëzhgim trofetë personalë, për gola të shënuar apo edhe çmime vjetore për lojtarin më të mirë, mbrojtësi numëron shtatë trofe të fituar që nga kampionati me të rinjtë e Bazelit deri në vitin aktual.

Naser Aliji dhe Bekim Balaj vijnë në radhë. Mbrojtësi që aktualisht është pjesë e Dinamos së Bukureshtit numëron pesë trofe të fituar në karrierën e tij. Më tej, bomberi shkodran me katër vijon listën e kuqezinjve që kanë në karrierën e tyre kampionate, Kupa apo Superkupa të fituara. Mandej, ka të tjerë kuqezinj, siç edhe demonstrohet në tabelë që kanë fituar nga tre, dy dhe një trofe në karrierën e tyre me klubet respektive.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"