Shqipëria humb sërish, në Holandë feston vetëm… 20 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 16:32

Shqipëria humb sërish, në Holandë feston vetëm… 20 minuta

Kombëtarja shqiptare e basketbollit ka pësuar humbjen e dytë në po kaq ndeshje në fazën paraeliminatore për Kampionatin Botëror të 2019-ës. Kuqezinjtë janë gjunjëzuar në Holandë nga përfaqësuesja vendëse me rezultatin 91-77.

holande shqiperi basketboll

Një përballje ku basketbollistët shqiptarë kanë luajtur si të barabartë në dy periodat e para, por më pas kanë humbur gjithçka në pjesën e dytë. Pas dy takimeve të para, Shqipëria renditet në fund. Tashmë, do të luajë ndeshjet e kthimit ndaj Austrisë dhe Holandës, fillimisht në transfertë dhe, më pas, në vendin tonë.

NDESHJA

Gjithçka ka nisur mirë për kuqezinjtë, të cilët kalojnë në avantazh në minutat e para. Shima, Hysenagolli dhe Bushati janë shumë aktivë dhe të rrezikshëm për mbrojtjen vendëse. Perioda e parë mbyllet me fitoren e Shqipërisë 26-24. Holandezët surprizohen dhe marrin masa në periodën e dytë. Edhe ky 10-minutësh është shumë i fortë dhe mbyllet në barazim 27-27.

holande shqiperi basketboll1

Trajneri Kostandinides i Shqipërisë është gjithë kohën duke dhënë udhëzime për të tijtë. Një takim i fortë ku dy periodat e para mbyllen me avantazhin e Shqipërisë me dy pikë. Holandezët bëjnë ndryshime në startin e periodës së tretë. Dhe këtu nisin të ndryshojnë gjërat. Vendësit vendosin diktatin në parket dhe janë më të organizuar. Holandezët përmbysin gjithçka shumë shpejt dhe kalojnë në avantazh.

Në fund të periodës së tretë, Holanda fiton 21-13 duke krijuar epërsi ndaj kuqezinjve. Kuqezinjtë mundohen të rikuperojnë, por gabojnë në pasime dhe poshtë koshit. Ndërsa, holandezët janë më të saktë, kjo edhe për shkak të freskisë fizike. Perioda e 4-t kontrollohet plotësisht nga “tulipanët”, të cilët fitojnë 19-11 dhe të gjithë takimin 91-77.

basketboll

STATISTIKAT

Gerti Shima ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 23 pikë. Pas tij renditej Vorn i Holandës me 20 pikë. Për sa u përket topave në tabelë, Hysenagolli ishte në krye për Shqipërinë me 6 të tilla. Ndërsa Shima udhëhiqte renditjen e asisteve me 4 të tilla. Për sa u përket 3-pikëshave, Holanda realizoi tetë nga 22 tentativa. Ndërsa, Shqipëria realizoi 9 nga 21 tentativa për 3-pikësha.

Pas dy takimeve të para, kuqezinjtë kanë pësuar dy humbje dhe renditen në vendin e fundit. Tashmë, Shqipëria do të luajë takimet e kthimit ndaj dy rivalëve, fillimisht me Austrinë në transfertë dhe, më pas, me Holandën në vendin tonë. Duket shumë e vështirë që përfaqësuesja të shmangë dy humbje në takimet paraeliminatore që i kanë mbetur për të luajtur.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"