Shkumbini i frikshëm, i jep leksion Elbasanit në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 15:41

Shkumbini i frikshëm, i jep leksion Elbasanit në miqësore

Shkumbini ka fituar bindshëm në miqësoren e zh villuar të shtunën në Peqin, ku përballë kishte Elbasanin fqinj. Peqinasit fituan thellë, 3-0, duke treguar se janë plotësisht gati për startin e kampionatit. Të besuarit e trajnerit Lorenc Pashja kanë treguar një formë të mirë jo vetëm në aspektin fizik, por edhe atë tekniko-taktik.

Elbasani Shkumbini

Meritat i shkojnë repartit të avancuar, ku Mustafaji realizoi një dopietë, kurse Lamçja një gol në këtë fitore. Nga ana tjetër, Elbasani i trajnerit Shkëlqim Lleshanaku nuk ka shfaqur fytyrën e vet më të mirë, duke stonuar në mjaft momente të lojës, kjo edhe për shkak të mungesës së lojtarëve me eksperiencë që mund ta udhëheqin skuadrën verdheblu në kampionat.

NDESHJA – Në fillim loja ishte mjaft e ekuilibruar dhe në rastin e parë për shënim do ta kenë miqtë, me anë të Nurit, por goditja e tij neutralizohet nga portieri Ajazi. Peqinasit tregohen më kërkues dhe si rezultat i presionit vënë në vështirësi mbrojtjen elbasanase.

Shkumbini miqesore

Në minutën e 33- të Mustafaji nxjerr nga repertori i tij një goditje të befasishme, duke e dërguar topin në rrjetë. Sulmuesi bardhekaltër tregon se ka arritur formën optimale dhe pak minuta më vonë realizon edhe golin e dytë për ekipin e Shkumbinit. Fraksioni i dytë nis me ndryshime në formacionet e të dyja skuadrave, teksa u krijohet mundësi lojtarëve të stolit për të treguar vlerat. Loja u zhvillua nën një ritëm të kënaqshëm dhe të rinjtë e aktivizuar i japin tjetër impuls manovrës elbasanase, por pa arritur të rrezikojë siç duhet portën e Shkumbinit, kjo edhe si rezultat i mungesës së përvojës.

Shkumbini

Në të 75-ën është sulmuesi elbasanas i bardhekaltërve, Eri Lamçja, që realizon golin e tretë, duke vulosur kështu fitoren e thellë të Shkumbinit. Edhe pse do të garojë një kategori më poshtë, Shkumbini tregoi se është në nivelin e Elbasanit ndoshta edhe më mirë. Rezultati i kësaj miqësoreje, pavarësisht mungesave që kishin verdheblutë, flet qartë.

Shkumbini

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"