Shkarkohet Sokol Bulku: Gaboi portieri dhe sulmi. Stoli bardheblu mes Maganit dhe Tot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2013 | 9:30

Shkarkohet Sokol Bulku: Gaboi portieri dhe sulmi. Stoli bardheblu mes Maganit dhe Tot

sokol-bulku-261x300Një tjetër humbje për Tiranën, këtë herë nën drejtimin e Sokol Bulkut. Pas ndeshjes mësohet se zv.trajneri është shkarkuar nga drejtuesit e klubit. Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, ai ia faturoi humbjen gabimeve të portierit dhe sulmuesve. “Humbëm sërish, dhe kjo disfatë sigurisht që dhemb. Mendoj se nuk triumfoi Lushnja, por ishim ne ata që e humbëm takimin. Pësuam dy gola të evitueshëm dhe nuk ditëm të shënonim. Na duhet realisht të presim edhe merkaton e janarit. Gjithsesi, pa shkuar deri atje, në tri ndeshjet e mbetura të këtij viti duhet të marrim maksimumin. Dalja e lojtarit të Lushnjës me të kuq duket sikur na dëmtoi ne, pasi kundërshtari u tërhoq në mbrojtje dhe nuk na la hapësira. Ju e patë forcën e Tiranës, sidomos gjatë pjesës së dytë, kur ishim fare pranë golit. Kjo është mundësia e Tiranës, nuk di të shkojë deri te goli. Kemi pasur dy raste të pastra si me Semedon dhe Çotën, por kur nuk di të shënosh, s’mund të fitosh. Sejdo bëri paraqitje të mirë në Laç, e ndaj i besuam sot (dje). Tani mund të pendohemi lehtë, por para ndeshjes bëmë llogari të tjera. Pastaj porta kurrë s’ka qenë e sigurt, pasi edhe Çaka ka gabuar. Pastaj dy golat e shënuar nuk ishin dhe aq meritë e Lushnjës, sesa faji ynë, pasi mund të evitoheshin”, – përfundoi Bulku, i cili dje ishte trajner provizor.

Stoli bardheblu mes Maganit dhe Tot
Gugash Magani apo Marijo Tot, janë këto dy alternativat e mundshme për stolin e Tiranës. Me të dy kanë nisur tashmë bisedimet: me të parin dje është kontaktuar në telefon, ndërsa me të dytin po dje janë ulur dhe kanë biseduar nga afër. Kroati ka ardhur në kryeqytet dje dhe ka nisur kështu tratativat për afrimin e tij te bardheblutë. Por gjasat janë që vetëm sot të vendoset gjithçka dhe nga e hëna trajneri i ri të marrë detyrën.
Magani – Tirana tenton Gugash Maganin për stolin. Ishtrajneri i Teutës është në planet e skuadrës kryeqytetase dhe pritet që nga sot të nisin zyrtarisht bisedimet. Mësohet se tekniku ka marrë dje një telefonatë nga bardheblutë, bisedë e cila do të vijojë edhe sot, por nga afër. Burime të sigurta për “Panorama Sport” zbulojnë se, gjatë ditës së sotme, donatori Ndriçim Babasi do të ulet në kafe me teknikun peqinas dhe do mundohet ta bindë që të marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase për pjesën e mbetur të këtij edicioni. E megjithatë se çfarë do të ndodhë, kjo do të shihet vetëm sot, pasi të realizohet edhe takimi i pritshëm.
Tot – Ish-trajneri i Zagrebit dje ka ardhur në Shqipëri, e madje e ka parë nga stadiumi ndeshjen Lushnja-Tirana. Bashkë me menaxherin e tij, ai ka biseduar me krerët e skuadrës kryeqytetase dhe gjatë mbrëmjes kanë pirë një kafe mes tyre. Është folur për një afrim të mundshëm të tijin te bardheblutë, dhe sigurisht edhe për pjesën e kontratës, gjithnjë nëse arrihet akordi. Fakti që tekniku kroat ka ardhur deri në Shqipëri, do të thotë që e ka dëshirën për të qenë në krye të 24 herë kampionëve të vendit. Megjithatë, takimi i mbrëmshëm ishte thjesht hapi i parë, pasi vetëm sot do mund të përcaktohet diçka më konkrete. Gjithsesi, vlen të theksohet se Magani ka më shumë kuota për të qenë trajneri i Tiranës, pasi është shqiptar dhe e njeh mirë mentalitetin e futbollit tonë. Që prej fillimit të këtij sezoni pankina e Tiranës është kthyer në një telenovelë.

Rikthimi i spanjollit, Rubio ende një opsion
Hulian Rubio mbetet dëshira e madhe e Tiranës. Drejtuesit e shohin atë si kandidatin potencial për të marrë detyrën e trajnerit te bardheblutë, pas dorëheqjes së dhënë nga Alpin Gallo. Spanjolli mbështetet masivisht edhe nga lojtarët. Gjithsesi, për momentin, prioritet janë vetëm dy pistat më të prekshme, pra Gugash Magani dhe Marijo Tot. Me të dy kanë nisur zyrtarisht bisedimet.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"