Shehi jep udhëzimet, ja formacioni i mundshëm i Tiranës për derbin e Shqipërisë (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 9:26

Shehi jep udhëzimet, ja formacioni i mundshëm i Tiranës për derbin e Shqipërisë (FOTO)

Për të mundur Vllazninë, Tirana po bën gjithçka. Humori dhe forma e skuadrës janë shumë të mirë, por Orges Shehi nuk qëndron i qetë. Gjatë stërvitjes së djeshme, trajneri i Tiranës është marrë gjatë me skuadrën, duke filluar që nga shënjestra e deri te taktika.

tirana

DËMTIMET – Dihet që Tirana nuk ka në dispozicion Majkëll Ngonë dhe Giamfin që është larguar. Skuadra me shumë mundësi do të bëjë pa ta deri në fund të sezonit. Pjesa tjetër është e gatshme për trajnerin e bardhebluve.

SHËNJESTRA – Për rreth 30 minuta, Shehi ka kërkuar shënjestër me gjuajtjet në portë. Në fillim lojtarët duhet të shënonin te portat e vogla, më pas te portat e mëdha. De Silva ishte një nga më të saktit në zonë, ndërsa nga largësia Limaj mbetet snajperi i skuadrës.

HOXHALLARI – Kapiteni shqetësoi dje, sepse u stërvit veçmas për shumë minuta, por në fund u bashkua me grupin. Trajneri i përgatitjes atletike, Kosta Jani, bëri të pamundurën që lojtari të ishte gati për taktikën e skuadrës.

SHPJEGIMET – Për rreth 2 orë, trajneri Orges Shehi ka qëndruar me ekipin dhe u ka kërkuar të gjithëve që të jenë të vëmendshëm, duke shpjeguar me detaje se si do të luhej ndaj Teutës. Të gjitha lëvizjet ishin llogaritur nga Shehi, ndërsa ai kërkoi saktësi dhe automatizim të veprimeve nga ana e mesfushorëve dhe sulmuesve të skuadrës.

Trajneri qëndroi gjatë me 11-shen titullare, duke vënë përballë mbrojtjen me sulmin. Edhe pas stërvitjes, Shehi i shpjegoi secilit individualisht lëvizjet në fushë.

NDRYSHIMI I FORMACIONIT – Trajneri për sfidën me Vllazninë kishte vendosur dje në mesfushë Ardit Tolin dhe jo Filip Najdovskin. Duke parë formën e maqedonasit që vjen nga dëmtimi, trajneri ka menduar për Tolin, që në takimin e parë në Shkodër u ndëshkua me të kuq.

Formacioni konfigurohet me Bekajn në portë. Mbrojtja me Toshevskin, Behiratçen, Hoxhallarin dhe Ismajlgecin. Në mesfushë, Toli shkatërrues, Limaj e Totre. Braziliani teorikisht do të luajë në qendër ndërsa nga krahët janë Seferi e Xhixha titullarë të padiskutueshëm në ekipin e Tiranës.

Gjithsesi, në sfidën me Vllazninë nga minuta e parë pritet të luajë Hoti. Edhe pse ka qenë me temperaturë, Shehi do t’i besojë lojtarit të ardhur nga Llapi.

formacion tirana

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"