Sfida ndaj Barçës, Ikardi pa frena: Doja Mesin në fushë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 11:50

Sfida ndaj Barçës, Ikardi pa frena: Doja Mesin në fushë…

Vetëm Ikardi, gjithmonë Ikardi. Bomberi dhe kapiteni argjentinas është kthyer në “makthin” e kuqezinjve. Kur Interi dhe Milani përballen, mund të prisni me siguri emrin e sulmuesit me vitlindje 1993 në tabelën e golashënuesve. Të dielën në mbrëmje, në sfidën e radhës brenda qytetit (këtë radhë e vlefshme për javën e nëntë të Serisë A), Mauro firmosi golin e vetëm pas një goditjeje me kokë, duke shfrytëzuar krosimin e Vesinos dhe pasigurinë e Donarumës e Muzakios.

Ikardi555

ZHBLLOKIM – Pak histori: gjatë karrierës së tij ende “të re”, Ikardi ka luajtur 11 derbe të Milanos, të parin në sezonin 2013-’14. Në shtatë përballjet e para ndaj “kushërinjve” ka mbetur thatë (në edicionin 2015-’16 gaboi edhe një penallti, në një derbi të humbur 3-0), aq sa thuhej se “Djalli” ishte “macja e zezë” e Mauritos.

Ikardi

Por… në kampionatin 2016-’17 u zhbllokua dhe nuk ka reshtur kurrë së shënuari. Gjithçka nisi, pra, dy vite më parë, kur gjatë një derbi ku rezultati final ishte 2-2, shënoi rrjetën e avantazhit të përkohshëm 2-0. Prej asaj ndeshjeje vijojnë 5 gola në 4 derbe (Milito, rekordmeni, ndalet në 4 rrjeta). Ku spikat tripleta e shënuar një sezon më parë (2017-’18), që i dha Interit fitoren 3-2. “Mbret” i padiskutueshëm i derbit.

15 PIKË – Le të bien në paqe ata që e kërkojnë më të lëvizshëm dhe lojtar-skuadre: Ikardi jeton për golin, pa të ndihet bosh. Por, kur shënon, portretizon pastërtinë artistike. Edhe kur ndeshja dukej e bllokuar, në limite, kur Milani po mbyllej në gjysmëfushën e vet me një qarkullim “shterpë” të topit, Mauro çorientoi mbrojtjen kuqezi (me Muzakion në krye, i cili po e markonte nga pranë) me një veprim të shpejtë.

Ikardi goli

Ndër të tjera, ishte i çmuar në presingun e parë kur Donaruma niste topin tokazi. Detaje të vogla, që ndonjëherë nuk duken. Momente “të vdekura”, nga të cilat Ikardi arrin të nxjerrë një “perlë”: qëndron gati në pritje të momentit të duhur. Këtë vit ka vendosur, mes kampionatit e Champions-it, pesë ndeshje. Golat e tij (plus 2 asistet) vlejnë 15 pikë. Për kritikët: a mos është rastësi që kriza interiste ka përfunduar nga momenti kur numri 9 rinisi të shënojë?

TANI, BARCELONA – “Radhën e ka Barça”. Kështu u shpreh Ikardi në përfundim të sfidës. E në fakt, pas derbit, zikaltrit i pret një tjetër “betejë”, të mërkurën (ora 21:00) në “Camp Nou”. Në mikrofonat e “Onda Cero”, Ikardi ka folur sërish për përballjen ndaj katalanasve. “Mëkat që Mesi nuk do luajë, është gjithmonë bukur të përballesh me kampionë si ai: meriton të quhet më i miri në botë”.

mesi

Rikthim te derbi: “Ishte e rëndësishme të fitonim sepse kemi kaluar një shtator fantastik dhe donim të vazhdonim momentin pozitiv pas pauzës: kështu sfidojmë më të qetë Barcelonën. Titulli? Duhet të vazhdojmë fitoret, Juventusi ka treguar se mund të qëndrojë gjatë në krye dhe duhet të marrim shembull. Reali? Qarkullojmë shumë zëra, por jam i lumtur tek Interi: kur të ketë oferta do i vlerësojmë, por ndihem mirë këtu.

Përgatiti: LEDIO NASE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"