Sfida me kampionët, Teuta e dënuar për pikë. Durrsakët përgatiten në… heshtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2024 | 10:50

Sfida me kampionët, Teuta e dënuar për pikë. Durrsakët përgatiten në… heshtje

Teuta do të udhëtojë sot në kryeqytet për t’u përballur me Partizanin, sfidë e vlefshme për javën e 19-të të Superiores. Ky takim do të luhet duke nisur nga ora 17:00, në “Arenën e Demave’. Durrsakët, të ndodhur në vendin e fundit, do të synojnë vetëm fitoren për të mbajtur “gjallë” shpresat për mbijetesën.

teuta

“Djemtë e Detit” kanë mbyllur sot përgatitjet për takimin ndaj Partizanit. Nën drejtimin e trajnerit Edi Martini dhe ndihmësve të tij, ekipi zhvilloi një seancë të karakterit taktik, ku stafi dha këshillat e fundit.

Lajmi pozitiv për trajnerin Martini, është rikthimi i mesfushorit Ledio Beqja, i cili ka hedhur pas krahëve dëmtimin. Pjesa tjetër e grupit është në gjendje optimale dhe ne dispozicion për këtë ndeshje ndaj kampionëve në fuqi.

Pavarësisht ndryshimit të madh që kanë lojtarët në renditje, fitorja ndaj Partizanit është detyrim për blutë. Skuadra ka marrë krahas këshillave, edhe orientimet taktike se si duhet të sillet në këtë ndeshje përballë ekipit të kuq.

Gjithçka është kaluar në heshtje, ndërsa trajneri Edi Martini nuk preferoi të dilte në konferencën e zakonshme për shtyp, ndoshta i ndikuar edhe nga situata aspak komode në renditje dhe në ndeshjet e fundit.

Gjasat janë që sot të kemi në fushë një formacion ndryshe nga ndeshja me Dinamon. Skuadrës së drejtuar nga Edi Martini ende i dhembin ato rezultate të fundit, ndaj Partizanit është një ndeshje që duhet me patjetër të dalë me sukses, pasi brenda ka edhe një dozë të madhe emocionale.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"