Sadiki: Falje tifozëve shijakas, me Egnatian marrim tri pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 12:45

Sadiki: Falje tifozëve shijakas, me Egnatian marrim tri pikët

Ekipi i Erzenit do të ballafaqohet sot me skuadrën e Egnatias në një përballje vendimtare për të ardhmen e tyre, në stadiumin “Arena e Demave” në orën 18:00. Ndeshje kjo e vlefshme për javën e 30-të në Superiore. Kujtojmë që përplasjet e tyre këtë sezon, në javën e 3-të, 12-të, e 21-të, kanë përfunduar me tri humbje për Erzenin, duke mos regjistruar kështu asnjë fitore kundër Egnatias.

sadiki erzeni

Me vetëm 28 pikë të mbledhura dhe vetëm 7 ndeshje të mbetura, nga mbyllja e sezonit, presionet për të siguruar fitore janë shtuar për shijakasit. Kampi kundërshtar synon të vazhdojë marshimin drejt titullit, me 54 pikë të mbledhura, duke mbajtur pozicionin e parë në tabelën e renditjes, fakt ky që tregon për një sfidë të vështirë për Erzenin.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mbrojtësi i qendrës Nehar Sadiki, sqaroi strategjinë që po ndjekin për situatën kritike në të cilën ndodhen, synimet në ndeshjen e sotme me Egnatian dhe ndikimi i mbështetjes së tifozëve në performancën e motivimin e tyre në fushë. “Organika është e plotë e pa asnjë mungesë, stërvitja javore ka shkuar mjaft mirë, pasi kemi investuar shumë kohë dhe energji në mirë përgatitjen e kësaj ndeshje, në disa aspekte, si ai fizik, teknik e taktik, duke u bazuar në analizat që i kemi bërë kundërshtarit.

Por më e rëndësishmja, trajneri Deliallisi ka punuar me ne dhe në aspektin psikologjik, pasi te jemi realist po përballemi me presion dhe rregullimi i emocioneve ka një ndikim të madh. Pra, një ndër strategjitë kryesore është qetësia e vetëbesimi kolektiv, që mund t’ia dalim t’i marrim tri pikët kundër rrogozhinasve. Tifozët për ne janë lojtari i 12-të, dhe përveçse falënderimit që na mbështesin gjithmonë, iu kërkoj dhe falje në emër të ekipit për rezultatet jo të mira deri më tani”, tha ai.

for

ERALD DERVISHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"