Rrëfehet Deliç: Besoni te mua, jam fantazisti që i mungonte Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 14:02

Rrëfehet Deliç: Besoni te mua, jam fantazisti që i mungonte Vllaznisë

Ivan Deliç, mesfushori organizator i ardhur në këtë merkato vere te Vllaznia, është optimist se kjo skuadër do të jetë një nga pretendentet e këtij sezoni. Ai e shikon këtë te grupi i lojtarëve, harmonia, e për më tepër te puna që po bëhet. Deliç ka vlerësuar maksimalisht dy repartet e fushës, teksa shpreson se edhe sulmi do të jetë ashtu siç dëshirohet. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori shpjegon arsyet se pse zgjodhi Vllazninë, por edhe atë që kërkon të arrijë me këtë skuadër. “Shtysë për të ardhur te Vllaznia është bërë miku im, portieri Vujadinoviç. Ai më ka folur për këtë skuadër dhe për vlerat që ka. Por, edhe oferta që më ka ofruar Vllaznia ka qenë e mirë”. I pyetur se si e shikon Vllazninë, tani që e njeh më mirë atë, ai u përgjigj: “Mund të them se është një skuadër që ka vlera dhe që ka një objektiv të qartë në këtë sezon. Shkodranët janë një ekip i kompletuar. Jo nga takimi në takim, por nga dita në ditë kjo skuadër ka një rritje në të gjithë komponentët e saj. Jam i bindur se kjo Vllazni do të jetë pretendente në këtë sezon futbollistik”. Ndërsa sa i përket grupit të lojtarëve, Deliç pohoi se Vllaznisë i duhet edhe një lojtar në majë të sulmit. Sipas tij, nëse do të kryhet kjo, atëherë do të jenë të frikshëm edicionin e ardhshëm. “Nëse mbrojtja dhe mesfusha janë OK, mendoj se kemi nevojë për një sulmues. Nëse do të realizohej kjo, mund të them pa frikë se do të jemi një skuadër e fortë”.
Dëmtimi – Deliç ka munguar në takimin e fundit, e shkak për këtë është bërë e çara në kokë, e pësuar pikërisht në takimin e 10 ditëve më parë, me ekipin e Besëlidhjes në Shkodër. Tashmë ai ndihet mirë dhe kërkon të japë maksimumin me fanellën kuqeblu. Ai ka qenë një nga lojtarët më të spikatur në Mali të Zi, por eksperienca e tij në Hungari nuk ka qenë e mirë, ndërsa kërkon që të jetë ai lojtar që ka spikatur me Buduçnostin. “Mund të them se po vij në formën time më të mirë. Sa i përket dëmtimit të fundit në kokë, mendoj se jam drejt rikuperimit dhe nuk kam munguar asnjë ditë në seancat stërvitore. Personalisht do të jem i gatshëm për takimin e parë me ekipin e Skënderbeut, ku mendoj se do ta fillojmë ashtu siç të gjithë dëshirojmë, me fitore. Unë do të kërkoj të bëj më të mirën për këtë skuadër, për këtë qytet dhe për tifozët, të cilët na ndjekin hap pas hapi. Shpresoj dhe besoj që do të jem ai që kam qenë me ekipin e Buduçnostit, fantazisti i munguar i Vllaznisë. Besoni te unë, nuk do t’ju zhgënjej”, ka përfunduar mesfushori Ivan Deliç.

Rexha, sulmuesi pritet t’u bashkohet shkodranëve
Kastriot Rexha pritet t’i bashkohet sot Vllaznisë. Nuk dihet ende nëse lojtari do të kalojë disa ditë prove pranë kësaj skuadre, apo do të firmosë direkt. Në fakt, sulmuesi Rexha është parapëlqyer edhe nga trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro dhe stafi i klubit kuqeblu në ato pak ditë që është stërvitur me ekipin. Numri një i pankinës shkodrane ka vlerësuar lojën e Rexhës, sidomos lojën në ajër. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kosovari Rexha do të jetë afrimi i fundit për sulmin shkodran në këtë merkato. Ndërkaq, sot trajneri Shpëtim Duro do të shikojë më nga afër edhe sulmuesin tjetër, të ardhur për provë, gjeorgjianin 20-vjeçar, Gjorgjio Maisuradze. Ky i fundit mbërriti në Shkodër mbrëmjen e së shtunës, ndërsa sot do të vihet nën urdhrat e stafit teknik.

Edhe një miqësore para startit
Vllaznia e drejtuar nga Shpëtim Duro pritet të zhvillojë edhe një tjetër përballje miqësore përpara takimit zyrtar ndaj Skënderbeut. Nga sa mësohet, ky test mund të zhvillohet të premten, por drejtuesit e klubit ende nuk kanë gjetur ekipin e përshtatshëm për këtë përballje. Numri një i pankinës shkodrane, Shpëtim Duro, kërkon të shikojë më nga afër gjendjen e ekipit një javë para startit të sezonit të ri, gjithashtu kërkon që kjo miqësore të mos i ngjajë asaj të fundit me Besëlidhjen, pasi çdo dëmtim do të ishte fatal për të tijtë. Në sfidën me lezhjanët, ndonëse ishte vetëm një miqësore, pati tension.
ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"