Rosberg në “pole-position” në Hungari, pas katër flamujsh të kuq
Niko Rosberg ka marrë “pole position” duke mundur shokun e tij të skuadrës me Mercedes, Luis Hemilton, në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Hungarisë, të cilat u ndikuan nga reshjet e shiut.
Hemilton mbajti provizorisht kohën më të shpejtë pas një nisje me pistë të tharë në pjesën e tretë të kualifikuesve dhe dukej se e kishte siguruar vendin e parë në nisje me kohët e shpejta që po regjistronte. Por ai u desh të ngadalësonte xhiron e tij të fundit pas një dalje nga pista të Alonsos në kthesën e 9, që u shoqërua me flamujt e verdhë.
Rosberg nga ana tjetër, përfitoi nga fakti që Alonso ishte kthyer në pistë në momentin kur ai kaloi në atë pjesë dhe regjistroi një kohë më të shpejtë se e Hemilton për më pak se 2/10 e sekondës.
Edhe Daniel Riçiardo u detyrua të braktiste xhiron e tij të fundit të shpejtë, duke përfunduar i treti, pas provave zyrtare të cilat ai nuk ngurroi t’i quante “të çmendura”.
Maks Verstapen ishte i katërti, i ndjekur nga Sebastian Fetel, me makinën e vetme Ferrari që arriti të kualifikohej në pjesën e tretë të provave zyrtare.
Provat zgjatën shumë më tepër sesa 60 minutat normale që kërkojnë normalisht. Nisja e tyre u shty për pak minuta për shkak të shiut, ndërsa pak minuta pasi provat filluan, një tjetër rrebesh solli ndërprerjen e kualifikueseve për rreth 20 minuta.
Daljet nga pista të Markus Erikson, Felipe Masa dhe Rio Harianto detyruan komisarët e garës të valëvitnin flamurin e kuq duke ndërprerë edhe tre herë të tjera këto prova të çuditshme.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"