Ronaldo dhe Reali shumë pranë divorcit, Perez bëhet gati të dëgjojë ofertat për shitjen e portugezit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 22:36

Ronaldo dhe Reali shumë pranë divorcit, Perez bëhet gati të dëgjojë ofertat për shitjen e portugezit

Jemi shumë afër fundit të një epoke: Kristiano Ronaldo dhe Reali i Madridit janë pranë divorcit final, lajm që bëhet i ditur në Spanjë dhe Portugali. Në verën e ardhshme me 99%, fituesi i “Topit të Artë” do të largohet. Ndihet i zhgënjyer nga fakti që Florentino Perez nuk po i rinovon kontratën. “Mundo Deportivo” raporton se, kur flitet për këtë çështje, portugezi përdor shprehjen: Më thonë se do të flasim nesër…

PEREZ S’PENDOHET

Por lajmi i publikuar dy ditë më parë se Ronaldo ka vendosur të largohet nga Reali, duket se nuk e ka impresionuar aspak presidentin Perez. Rinovimi i 33-vjeçarit është gjëja e fundit që po mendon për momentin, duke parë krizën që po kalon skuadra e tij në kampionat dhe që, në gjysmën e sezonit, i ka dhënë lamtumirën titullit kampion. Madje, në Portugali e bëjnë të sigurt se numri një i “galaktikëve” i ka dhënë lejen agjentit të tij që të dëgjojë ofertat e tjera në lidhje me Ronaldon.

Perez dhe Ronaldo

“Record” shkruan se Perez i ka bërë me dije Mendezit të punojë për largimin e klientit të tij nga Reali dhe nuk do të ndihet aspak i rebeluar apo i ofenduar për këtë gjë. Ai e konsideron të tepërt rinovimin e Kristianos dhe rritjen e pagës,  sepse momentalisht është 33 vjeç dhe ka kontratë edhe për 3 vite. Por Ronaldo kërkon vetëm rritjen e pagës dhe rinovim ndoshta 1-vjeçar vetëm që të përfitojë më shumë nga kontrata e re.

JUNAJTID E BRAKTIS

Thonë se dashuritë e mëdha nuk përfundojnë kurrë, por kur në mes futen shifrat e çmendura të eurove dhe interesa të tjera, atëherë romanca fillon të zbehet. Nëse Ronaldo largohet nga Reali, skuadra që dëshiron është Junajtid. Edhe këta të fundit sigurisht që do ta mirëprisnin në shtë- pi “djalin” e tyre, por nga të dhënat e para që filtrojnë nga kampi i “djajve” duket diçka e ndërlikuar.

Ronaldo kërkon 50 milionë euro në sezon si pagë vjetore, ndërsa 100 milionë duhen minimalisht për të paguar kartonin e tij. Në këtë pikë, Junajtid është frenuar dhe do të mendohet dy herë për ta bërë një shpenzim të tillë. Tifozët do të ishin të lumtur, por fjalën e fundit e ka Zhoze Murinjo, me të cilin nuk ka ndonjë raport të shkëlqyer. Nëse kjo përkthehet në një braktisje nga ana e Junajtid, atëherë PSG-ja dhe Al Khelaifi do ta prisnin Kristianon krahëhapur.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"