Rikthimi në fushë zgjat vetëm 65 minuta, Ardit Hoxhaj dëmtohet sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2018 | 18:13

Rikthimi në fushë zgjat vetëm 65 minuta, Ardit Hoxhaj dëmtohet sërish

Skënderbeu ushtron “shënjestrën” ndaj Veleçikut. Korçarët kanë fituar me shifrat 4-0 dje, duke kaluar rrjedhimisht në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Orges Shehi edhe këtë takim kishte vendosur që t’u besonte lojtarëve të rinj, që nuk kanë pasur fort hapësira në këtë sezon. Sakaq, koplikasit pas mëdyshjeve vendosën që të udhëtonin në Korçë dhe të respektonin komptecionin.

42656879_1881405055230540_6835682576070344704_o

PJESA E PARË – Bardhekuqtë e nisin me gol që nga “tuneli”, pasi në minutën e 3- të Guindo arrin të shënojë në brendësi të zonës, duke gjetur kështu golin e parë si lojtar i kampionëve në fuqi të vendit. Goli i shënuar nga malieni shtang miqtë që dukshëm nuk kanë më përqendrimin e duhur për t’i bërë ballë Skënderbeut, ndaj i bombardojnë në raste.

Megjithatë, goli vjen në të 19-ën prej sulmuesit Ardit Hoxhaj, i rikthyer pas dëmtimit të gjatë në fushë. Vlonjati fiton me shpejtësi një pasim të Marës dhe i ndodhur në zonën  e rreptësisë nuk fal, 2-0 për bardhekuqtë. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë e takimit.

PJESA E DYTË – Sakaq, e dyta nis me Skënderbeun të etur për të gjetur gola të tjerë. Minutë pas minute korçarët mundohen me Marën dhe Hoxhajn, por portieri u bën “bllokadë” në të dyja rastet. Ndeshje totalisht e pafat kjo për Ardit Hoxhajn. Sulmuesi më në fund rigjeti fushën, e megjithatë gëzimi nuk i zgjati më shumë se 65 minuta. Një dëmtim i pësuar krijoi panik te stafi teknik dhe ai mjekësor, që menjëherë menduan që ta zëvendësonin për të mos e rrezikuar.

Ardit Hoxha

Paraprakisht dyshohet për një dëmtim muskulor, por vetëm sot do të shkojë drejt kryeqytetit për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe verifikuar diagnozën. Vetëm pas analizave do të konfirmohet se sa kohë do të qëndrojë jashtë fushës. Për t’u kthyer te loja, në të 75-ën është Renato Ziko që shënon me të majtën. 3-0 për Skënderbeun dhe korçarët nuk ngopen në këtë takim.

Gëzimi i takon një tjetër lojtari të sapoardhur që shënon edhe ai golin e parë me fanellën bardhekuqe, Realdo Fili. I aktivizuar në vend të Hoxhajt, fieraku “vulos” shifrat në 87-ën, duke konkluzuar me sukses një aksion të shpejtë. Mbyllet kështu ndeshja e kthimit në Korçë me bardhekuqtë që veç kalimit në turin tjetër shlyejnë edhe një ndeshje pezullimi të fushës.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"