Revolucion te Tirana, rokadë brenda familjes në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2016 | 10:56

Revolucion te Tirana, rokadë brenda familjes në stol

Skuadra e Tiranës në basketbollin e meshkujve ka hedhur “piketat” për sezonin e ri ku drejtuesit e klubit bardheblu do të synojnë fitimin e titullit kampion, trofe që i mungon prej disa vitesh ekipit kryeqytetas.

roland avrami

Trajneri i fundit që ka arritur të fitojë kampionatin me Tiranën ka qenë Roland Avrami. Ky i fundit “trashëgoi” në sezonin e kaluar stolin e Bujar Shehut, duke humbur në fund të sezonit finalet e titullit përballë Vllaznisë. Mirëpo, nga sezoni i ardhshëm, Avrami nuk do të jetë më në stolin e ekipit të meshkujve, teksa prej disa ditësh është emëruar në pankinën e skuadrës së femrave. Ai do bashkëpunojë për të konkretizuar objektivat me ish-basketbollisten e famshme të skuadrës bardheblu, Mirsa Alibegaj, e cila do jetë zv.trajnerja e Tiranës.

Vendin e Avramit tek ekipi i meshkujve e ka zënë Erdal Borova. Ky i fundit pritet që së shpejti të nisë punën me bardheblutë. Mirëpo Borova mund të mos jetë deri në fund të sezonit në stol, pasi flitet se drejtuesit e klubit po kërkojnë një trajner të huaj dhe me eksperiencë për të ndihmuar Tiranën të bëjë një përfaqësim sa më të mirë në Ligën Ballkanike të basketbollit.

Sakaq, bardheblutë janë në bisedime dhe me katër lojtarë të huaj, teksa me shumë mundësi afrimi i parë pritet të jetë ai i ish-kapitenit Erkand Karaji, i cili u largua pas ardhjes së Bujar Shehut në stol. Sakaq, një tjetër objektiv në merkato është edhe Algert Gjonaj, mirëpo ky i fundit ndiqet me interes edhe nga Ardhmëria e dyshes Bilali-Moja.

LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"