Reportazh nga stërvitja kuqezi/ Atmosferë fantastike në Pragë, një “batutë” e Gjasulës shkakton të qeshura në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2023 | 10:00

Reportazh nga stërvitja kuqezi/ Atmosferë fantastike në Pragë, një “batutë” e Gjasulës shkakton të qeshura në ekip

Praga në fillim të jep përshtypjen se është në rutinën e saj, pa ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm. Lëvizje të shumta, një mot i shkëlqyer për të shëtitur dhe turistët që gjatë paradites mbipopullojnë rrugët.20

Mirëpo, kur mendon se futbolli nuk ka shumë lidhje nisin të shfaqen flamujt e parë shqiptarë në duart e disa tifozëve që ecin zhurmshëm rrugëve kryesore të kryeqytetit çek. Nuk mungojnë as shqiptarët që punojnë në bizneset e atyre zonave që i përshëndesin të përmalluar. “Forca, fiton Shqipëria sot”, janë batutat më të shpeshta që këmbejnë tifozët e porsaardhur me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë tanimë në Pragë.

Kombëtarja mbërriti në Pragë rreth orës 11:00 dhe është akomoduar në hotelin “Don Giovanni”, i pozicionuar 2 kilometra larg stadiumit dhe me një largësi prej 10 minutash me autobus. Pak tifozë shqiptarë ishin aty rrotull. Pasi u akomoduan fillimisht në hotel dhe konsumuan drekën, kuqezinjtë u nisën rreth orës 16:30 drejt stadiumit.

Në orën 17:00 trajneri Silvinjo dhe Berat Gjimshiti dolën në konferencën për mediat. Binte në sy prania e 13 gazetarëve në total, 5 shqiptarëve dhe tetë vendësve. Pyetjet maratonë të ndërthurura edhe me një sallë pa kondicioner duket sikur ua humbën durimin të gjithë të pranishmëve, jo vetëm Silvinjos dhe Gjimshitit që duhej të përgjigjeshin. E çuditshme, por e vërtetë: nuk kishte ajër të kondicionuar. Prania e shumë shisheve dhe pijeve freskuese nuk ishte aspak ngushëlluese, sepse në minutat e fundit u krijua një situatë e sikletshme prej temperaturës së lartë. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjatë kohës që Silvinjo po fliste u rrëzua diçka afër sallës dhe shkaktoi një zhurmë të fortë.

Trajneri ndërpreu fjalimin dhe kërkoi shpjegim: “Çfarë po ndodh?”. Pastaj nisi të flasë sërish. Madje, me përgjigjet e tij të gjata edhe konferenca hëngri pak më shumë minuta se zakonisht.

Braziliani i zgjuar e kuptoi dhe kërkoi ndjesë me humor: “Më falni, ndonjëherë i bie shumë gjatë me përgjigjet”, duke iu drejtuar më së pari përkthyeses që kishte në krah. Në fund të konferencës skuadra del në fushë dhe për 15 minuta u lejuan edhe gazetarët të shikonin stërvitjen e fundit.

Formacioni titullar nuk ishte ende “i dallueshëm”, por batutat nuk munguan. Një ushtrim i Silvinjos në nxehjen e skuadrës me sprintet që kryhen në fillimin e seancës stërvitore, i bëri lojtarët të thërrasin me radhë atë që duhet të bëjë vrapimin. Në këtë mënyrë stërvitet edhe shpejtësia e reagimit të futbollistëve. Ushtrimi i parë shkoi mirë, ndërsa i dyti bëri që të shpërthejnë të qeshurat.

Kjo, pasi Gjasula, i cili ftohet të niset i pari, thërret emrin e Balajt. Sulmuesi nuk është mes të grumbulluarve të Silvinjos dhe kjo bëri që lojtarët të mos mbajnë të qeshurat në ato momente.

“Do ta marrim në telefon”, dëgjohet teksa thotë një prej kuqezinjve në këtë moment, që është përjetuar me shumë humor nga grupi kuqezi. Pastaj Silvinjo bën me shenjë të dalin gazetarët të gjithë nga stadiumi. Skuadra dukej në humor, ndoshta edhe për meritë të trajnerit kuqezi, i cili tensionin që mbart ndeshja është përpjekur ta shndërrojë në energji dhe forcë për të dhënë më të mirën kundër Çekisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"