Rei Manaj bën autokritikë: Mendoja se isha Maradona, tani nuk dua të humb më kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2021 | 14:32

Rei Manaj bën autokritikë: Mendoja se isha Maradona, tani nuk dua të humb më kohë

Rei Manaj, me golin e parë të shënuar në Serinë A, në ndeshjen e fundit të Specias, është vënë sërish në vëmendje të mediave italiane. E përditshmja “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull të shkurtër sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Artikulli ka nisur me një ngjarje pak humoristike dhe të veçantë që tregon edhe karakterin e tij rebel.

manaj

Në kohën kur luante te moshat e Sampdorias, në një ndeshje përballë ekipit A, Manaj shikon portierin Da Kosta që ishte jashtë pozicionit të tij në portë dhe tenton të shënojë nga 50 me tra larg, por ajo goditje ishte e gabuar dhe as nuk shkoi fare në portë.

Pas kësaj, trajneri i tij e paralajmëroi Manajn se nëse e bënte përsëri të njëjtën gjë, do ta nxirrte menjëherë jashtë nga loja. Dy ditë më vonë, kundër Sienës, Manaj nuk zë mend dhe bën pikërisht të njëjtën gjë, tenton nga mbi 40 metra larg, por këtë herë rezultati është i ndryshëm, pasi ai shënon një eurogol.

“Zotëri, a jemi mirë tani?”, i tha ai trajnerit, duke treguar edhe më shumë për karakterin e tij. Sot Manaj paraqitet si një njeri komplet ndryshe dhe i përulur:

“Në moshën 18-vjeçare mendoja se isha Maradona, – tha Manaj gjatë intervistës, – tani nuk dua të humb më kohë”. “Gabimet e mia i kam kuptuar më vonë”, u shpreh sulmuesi që mungoi në listën e Edi Rejës për dy sfidat e fundit të eliminatoreve, po që së fundmi ka gjetur besimin e trajnerit të tij te Specia, Tiago Mota. Ai e ka aktivizuar atë si titullar në dy ndeshjet e fundit ndaj Interit dhe Sasuolos ku shqiptari shënoi edhe golin e parë në kampionat.

Ndeshja e radhës është të hënën në “Olimpiko” ndaj Romës së Murinjos, ku Manaj pritet që të aktivizohet sërish si titullar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"