Ronaldo bën tripletë, “zgjohet” Garet Bejl

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2013 | 9:51

Ronaldo bën tripletë, “zgjohet” Garet Bejl

Ronaldo dhe BejlNë një ndeshje ku skuadrat menduan shumë pak për mbrojtjen, tifozët kanë përjetuar një spektakël të jashtëzakonshëm. Reali i Madridit shfryu inatin e humbjes në “El Clasico” dhe talljes së Blaterit ndaj Ronaldos, duke i shënuar plot shtatë gola Seviljes, ndërkohë që Diego Lopez e nxori topin tri herë nga porta e tij. Ndeshja nisi me duartrokitje dhe brohoritje për Kristianon dhe Bejlin, ndërkohë që nuk i kursyen vërshëllimat për trajnerin Karlo Ançeloti, i cili ka humbur shumë popullaritet kohët e fundit. Në minutën e shtatë të lojës, në nderim të numrit që mban në fanellë Ronaldo, tifozët kanë thirrur emrin e tij në kor, ndërkohë që nuk mungonin pankartat fyese ndaj presidentit të FIFA-s. Shtatë minuta më pas, Garet Bejl shfaqi talentin e shumëpritur në Madrid, kur realizoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme brenda zonës. Në të 27- ën, uellsiani realizoi edhe dopietën e tij të parë, por këtë herë i ndihmuar nga fati, pasi gjuajtja me goditje dënimi u devijua nga një kundërshtar. Më pas nisi edhe spektakli i dyshes Ronaldo-Benzema. Portugezi e çoi në 3-0 ndeshjen nga pika e bardhë e penalltisë, para se Rakitiç, gjithashtu me 11-metërsh, dhe Baka të ngushtonin diferencën në pjesën e parë. Sulmuesi francez, i cili prej kohësh ka probleme për të gjetur rrugën e rrjetës, realizoi dy herë në pjesën e dytë (53′ dhe 80′) dhe në shenjë falënderimi shkoi të përqafonte bashkatdhetarin e tij Zinedin Zidan në stol. Ndërkohë ylli portugez i madrilenëve, apo siç e quajti Blater “komandanti”, e mbylli mbrëmjen me tre gola, pasi në të 60-ën dhe 71-ën goditjet e tij të fuqishme ishin të pakapshme nga Beto, që përjetoi një nga mbrëmjet më të vuajtura të karrierës. Goli i dytë i Rakitiçit (humbi edhe një penallti në të 74-ën) pati vetëm vlerë statistikore për miqtë nga Sevilja, që u shndërruan në një tabelë qitjeje. Madje, luajtën për 15 minuta me një lojtar më pak, pasi M’bia mori kartonin e dytë të verdhë. Një goleadë që ka “ringjallur” agresivitetin, të cilin tifozët e prisnin prej shumë kohësh…
Ronaldo –
Në shenjë ironie ndaj Blaterit, ai festoi golin duke përshëndetur në formë ushtarake, duke qenë se kreu i FIFA-s e quajti “komandant”. Gjithsesi, me tripletën e djeshme ai kaloi rekordin e Ferenc Pushkashit në kampionat, pasi ka shënuar 157 gola në 146 ndeshje të zhvilluara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"