Edi Rama: Doshi, Frroku e Çela, merrni Vllazninë. “Loro Boriçi”, arenë europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2014 | 9:00

Edi Rama: Doshi, Frroku e Çela, merrni Vllazninë. “Loro Boriçi”, arenë europiane

RamaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Shkodër nuk mund të largohej pa parë edhe stadiumin “Loro Boriçi”. Stadiumit të Shkodrës duket se i erdhi dita t’i jepet çka meriton. Kryeministri Rama ka kërkuar një projekt për ndërtimin e tribunës kryesore dhe pjesës harkore. Në prani të deputetëve të qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, Agron Çela dhe Mark Frroku, ish-presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj, dhe prefektit Paulin Radovani (ish-sponsor i Vllaznisë), Rama premtoi shumëçka. Kryeministri pret vetëm një projekt që t’i dorëzohet në zyrën e tij dhe, kur kjo të ndodhë, është i gatshëm që qeveria që drejton të financojë për ndryshimin e plotë të imazhit të stadiumit të Shkodrës dhe kthimin e tij në një arenë me standarde europiane. Kreu i qeverisë ka ngarkuar për të bërë këtë projekt deputetin Agron Çela, si dhe ish-presidentin Valter Fushaj. Të dy përfaqësuesit e Shkodrës menjëherë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të realizuar këtë projekt dhe për t’ia dorëzuar në një kohë sa më të shpejtë. Kryeministri nuk është mjaftuar me kaq. Ka shprehur keqardhjen e tij për situatën në të cilën ndodhet Vllaznia. Rama u ka kërkuar deputetëve Doshi, Çela, Frroku dhe ish-presidentit Fushaj që Vllaznia të ringrihet aty ku e meriton. “Bëhuni bashkë ju të katërt dhe merreni Vllazninë dhe ndërtoni një skuadër dinjitoze e ta çoni atje ku e meriton. Mund t’i dhuroni Shkodrës një ekip të madh. Besoj se nuk është e vështirë. Keni mbështetjen time”, u është drejtuar kryeministri Rama. Pasi ka zbritur në fushën e “Loro Boriçi”-t, Rama ka marrë rrugën për të dalë nga stadiumi. Aty ka takuar shefin e klubit, Armir Grima, me të cilin shkëmbeu një batutë për tifozët e Tiranës, të cilët shkaktuan rrëmujën në Shkodër: “Hë, jua shkulën stolat ata?”, tha kryeministri. Më tej, Grima ia ktheu: “Nuk i shkulën, i hoqën”, duke e shoqëruar më pas me të qeshura. Kryeministri pas batutave ka bërë një xhiro rreth e rrotull stadiumit, ku ka vënë re se pranë hyrjes kryesore ndodheshin mbeturinat, ndërsa pak metra më tutje fshatarët tregtonin në tokë pa asnjë lloj kushti. Gjithashtu ka parë edhe gjendjen e dhomave të amortizua, të kalbura, të cilat ndodhen poshtë tribunave. Pasi ka marrë rrugën drejt Tiranës, kryeministri ka lëshuar një status në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ku shkruante: “Në kthim nga Shkodra, ku pashë edhe stadiumin e katandisur s’ka më zi! Do vëmë dorë e do ta kthejmë në arenën e dytë europiane në Shqipëri”.

ZmijaniZmijani, Fushaj dhe Radovani: Ja çfarë na premtoi kryeministri
Menjëherë pas largimit të kryeministrit Edi Rama nga stadiumi i Shkodrës, protagonistët kryesorë që e shoqëruan në vizitën e tij tregojnë diçka më shumë për ato çfarë u zotua shefi i Ekzekutivit. Paulin Radovani – “Kryeministri shprehu gatishmërinë për të mbështetur rikonstruksionin e stadiumit të Shkodrës. Duhet të paraqesim një projekt për këtë rikonstruksion dhe sa më shpejt aq më mirë do të jetë, sepse ai është i gatshëm për të ndihmuar. Nuk u tha se sa do të jetë fondi për këtë rikonstruksion”.
Valter Fushaj – “Gjatë periudhës 5-vjeçare si president i Vllaznisë kam pritur që stadiumin ta inspektonte një drejtues i lartë, siç është kryeministri, për të parë nga afër nevojat që ka ‘Loro Boriçi’. Ishte diçka shumë e mirë vizita e kryeministrit Rama dhe them se ka për të pasur efekte pozitive. Një zgjidhje të mirë për të bërë investime në Shkodër, për ta kthyer në një stadium me standarde ndërkombëtare, si për ndeshjet e Vllaznisë dhe për ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë. Rikthimi, sipas propozimit të kryeministrit? Nuk jam i gatshëm të jap një përgjigje për këtë pyetje, por gjithsesi jam i gatshëm të përmbush porosinë që la kryeministri për të bërë një projekt së bashku me deputetin e Shkodrës, Agron Çela. Pra, kam gatishmërinë të jap kontributin në përpilimin e një projekti dinjitoz për ta miratuar më pas, si dhe për të realizuar një stadium bashkëkohor, i cili do t’i shërbejë gjithë qytetit të Shkodrës, si dhe Shqipërisë”.
Hysen Zmijani – “Sigurisht që ishte edhe interesimi i kryeministrit për ta parë stadiumin, sepse Rama e di që në Shkodër tifozët kanë një popullaritet të jashtëzakonshëm. Tha disa gjëra të bukura, duke premtuar shumë për këtë stadium, të cilat, nëse mbahen premtim, atëherë do të investohet te ky stadium. Në bëmë një xhiro brenda stadiumit, por edhe jashtë, për të parë se cila është situata e brendshme dhe e jashtme e stadiumit ‘Loro Boriçi’. Ne i thamë për tribunën VIP, por ai shihte shumë më larg sa i përket investimit. Shpresojmë që të jetë një realitet, sepse Rama është një ish-sportist dhe e din se çfarë është sporti. Për Shkodrën do të jetë një kënaqësi e veçantë nëse investohet në stadiumin ‘Loro Boriçi’. Përpos stadiumit, kryeministri pati propozimet e tij edhe për ekipin e Vllaznisë. Aty ishin 4 biznesmenë dhe u tha që të merrnin skuadrën. Aty ishin ish-presidenti Valter Fushaj dhe deputetët Tom Doshi, Agron Çela dhe Mark Frroku. Sikur ta marrin këta 4 persona bashkë, me kryeministrin në krye, atëherë Shkodra mëkëmbet dhe bën një stadium fantastik. Shpresojmë të ndodhë kështu, sepse, nëse e merr kryeministri përsipër, atëherë do të jetë e mrekullueshme. Të gjithë e dimë se çfarë është Vllaznia për Shkodrën, duam stadiumin më shumë se gjithçka ndoshta”.
ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"