PSG trondit Çelsin, Pastore tremb Moun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2014 | 13:48

PSG trondit Çelsin, Pastore tremb Moun

Paris Saint-Germain FC v Chelsea - UEFA Champions League Quarter FinalPathyeshmëria e Murinjos ndaj skuadrave franceze përfundon në tentativën e 14-të. Për të prishur “magjinë” menduan milionerët e PSG-së, të cilët me një dominim në pjesën e dytë, i kanë detyruar londinezët që të rikuperojnë dy gola avantazh pas gjashtë ditësh, nëse duan të shkojnë në gjysmëfinalet e Champions-it. Francezët e mbyllën mbrëmjen me festë, falë golave të Lavecit e Pastores, ndërsa Çelsi ka nisur të kafshojë duart. Murinjo u duk sikur do t’i jepte një leksion kolegut të tij kur përfundoi pjesa e parë, por në 45 minutat e dyta ishte Blank ai që “shkundi” disi autoritetin e pacenueshëm të portugezit…
Taktika Trajneri francez vendosi të hedhë që nga minuta e parë Verratin, duke kërkuar më tepër kontroll dhe qarkullim topi në mesfushë. Zhoze, i privuar nga mungesa e Etosë, u përgjigj me një formacion kompakt, ku para treshes Hazard- Oskar-Uillian ishte Shyrrle, i natyralizuar si “pykë”.
Pjesa e parë Start i shkëlqyer për vendësit, të cilëve u mjaftuan katër minuta për të gjunjëzuar Peter Çehun. Një krosim në zonë, u largua keq me kokë nga Terri, duke i dhënë mundësinë Lavecit që të gjuajë fort brenda zonës. Një gjuajtje e pakapshme, që mjaftoi për të zhbllokuar menjëherë rezultatin dhe garantuar spektakël për minutat e mbetura. Çelsi nuk u dorëzua dhe falë David Luizit e Ramirezit morën kontrollin e mesfushës, duke mos lejuar kundërshtarin që të qarkullojë topin. Dominimi në fushë u “kurorëzua” në të 27-n, kur Tiago Silva pengoi qartë brenda zonës Oskarin dhe arbitri Maziç nuk pati dyshime për të akorduar 11-metërsh. Eden Hazard nuk gaboi nga pika e bardhë dhe barazoi rezultatin në 1-1. Por, pak minuta më pas, belgu “flirtoi” edhe me golin e avantazhit, kur gjuajtja e tij në diagonale preku shtyllën e majtë të portierit Sirigu. Në limitet e pjesës së parë pati edhe një pretendim për penallti nga PSG-ja, por që gjyqtari nuk ishte i të njëjtit mendim.
Pjesa e dytë Panoramë krejt tjetër e lojës kur skuadrat u rikthyen nga dhomat e zhveshjes. Verrati vendosi të ndryshojë rolet, duke i dhuruar PSG-së dominim në qarkullimin e topit. Ai i niste aksionet më pranë mbrojtjes së skuadrës, por u dha mundësinë francezëve që të rifitojnë mesfushën dhe njëkohësisht të krijojnë më tepër hapësira për sulmuesit. Edhe pse tentuan me ngulm golin e avantazhit, ai erdhi i shoqëruar nga fati. Një krosim në zonë nga goditja e dënimit, u devijua gabimisht prej David Luizit në minutën e 61-të, duke shënuar kështu një autogol me shumë peshë. Murinjo nxjerr Shyrrlen dhe fut Torresin, por në sulm nuk ndryshon asgjë për blutë e Londrës. Ndërkohë që djemtë e Blankut po tentonin të shënonin edhe golin e tretë, Zlatan Ibrahimoviç braktisi fushën për shkak të një dëmtimi muskulor dhe në vendin e tij u fut Lukas. Pak minuta më pas, Verrati u dorëzua gjithashtu para një dëmtimi, duke lënë fushën e lojës. Gjithsesi, kjo nuk e ndryshoi dominancën, pasi Çelsi vazhdoi të ishte i pafuqishëm për të reaguar. Lukas shkaktoi jo pak panik në mbrojtjen kundërshtare me aksionet e rrufeshme individuale, ndërkohë që Kavani rrezikoi dy herë të shkundë rrjetën e Peter Çehut. Kur u duk sikur ndeshja do finalizohej me fitoren e vendësve 2-1, ishte i sapofuturi në fushë Havier Pastore ai që u bë “heroi” i mbrëmjes, mbase edhe i kualifikimit. Argjentinasi mori një top në afërsi të goditjes së këndit, dribloi tre kundërshtarë dhe gjuajti fort me të majtën, duke ekzaltuar të gjithë të pranishmit në stadium. Një gol që tronditi jo pak Zhoze Murinjon, i cili duhet të “shpikë” diçka për duelin e kthimit, nëse dëshiron të evitojë eliminimin…

Pastore“Pastore fantastik, e kemi në dorë kualifikimin”
Goli i shënuar në fund nga Pastore e ekzaltoi pa masë trajnerin Loran Blank, i cili u shfrenua gjatë festimit. “Ishte një gol fantastik, ku meritën kryesore e ka Pastore. Ishte gjithashtu një gol shumë i rëndësishëm për kualifikimin. Do shkojmë në Angli me një avantazh të dyfishtë dhe kjo na ndihmon më tepër për të siguruar gjysmëfinalet”, deklaroi trajneri i PSG-së. “Në pjesën e parë e patëm pak të vështirë, pasi Çelsi ishte shumë kompakt dhe ne patëm vështirësi për të qarkulluar topin. Për më tepër, ata ishin shumë të rrezikshëm edhe me kundërsulme. Në pjesën e dytë ndryshuam shumë. Arritëm të administrojmë lojën dhe të krijojmë më tepër raste shënimi. Morëm një fitore plotësisht të merituar dhe nëse nuk do të kishim shënuar golin e tretë, do isha i pakënaqur me rezultatin, pikërisht prej mundësive që shpërdoruam. Tashmë kualifikimi është në dorën tonë”, shtoi Blank. Në fund komentoi edhe për dy dëmtimet, të Ibrës dhe Verratit. “Zlatan pati dhimbje dhe duket si një dëmtim muskulor. Verrati gjithashtu e pati të pamundur të luajë. Së shpejti do të marr përgjigjen e mjekëve dhe shpresoj që të mos ketë asgjë serioze, pasi janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne”, përfundoi deklaratën e tij trajneri i PSG-së.

Dëmtohen Ibrahimoviç dhe Marko Verrati
Fat i keq për trajnerin Loran Blank, pavarësisht fitores së rëndësishme në shtëpi. Tekniku francez ka në dyshim dy prej futbollistëve më të rëndësishëm, për ndeshjen e ardhshme kundër Çelsit. Zlatan Ibrahimoviç u detyrua të dalë nga fusha në minutën e 68-të, për shkak se pësoi një dëmtim muskulor në këmbën e majtë. Por, vetëm shtatë minuta më pas, ishte mesfushori italian Marko Verrati, që gjithashtu braktisi lojën për shkak të një dëmtimi. Është ende për t’u parë nëse janë probleme shqetësuese apo jo, gjithsesi dueli i ardhshëm është vetëm javën tjetër dhe duhet një riaftësim shumë i shpejtë, për të qenë në dispozicion të Blankut.

“U ndëshkuam nga gabimet tona”
“Jam shumë i zhgënjyer për rezultatin, pasi e ndihmuam vetë kundërshtarin që të fitonte me dy gola diferencë. Pjesën e parë u paraqitëm mirë dhe arritëm të shënojmë një gol. Të tre golat e pësuar erdhën prej gabimeve tona individuale dhe kjo është e pafalshme”, deklaroi ylli i Çelsit Eden Hazard. “Tani e kemi më të vështirë kualifikimin, pasi rezultati nuk na ndihmon aspak. Gjithsesi, ne e dimë që mund të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer në shtëpi dhe të fitojmë me dy gola diferencë. Sigurisht që do tentojmë të sigurojmë gjysmëfinalet”, shtoi mesfushori belg.

Huliganët anglezë, sulme raciste në rrugët e Parisit
Qindra tifozë të Çelsit kanë shkaktuar trazira në qendër të Parisit pak orë përpara ndeshjes. Dhuna e huliganëve anglezë i ka shkaktuar dëmet më të mëdha në rrugën “St Denis”, një destinacion i famshëm i turistëve me pub-e dhe bare. Rreth 400 huliganë janë parë të bëjnë përshëndetjen naziste “Sieg Heil” dhe më pas kanë nisur të sulmojnë tifozët e PSG-së. “U përpoqëm të ndalnim dhunën, por ajo po përhapet gjithnjë e më shumë”, – lëshoi alarmin një oficer policie në vendngjarje. Disa nga rrugët e Parisit dukeshin si në gjendje lufte, ndërsa zjarri nuk kurseu as baret dhe dyqanet. “Është e frikshme. Nuk mundëm të dilnim nga lokali. I kishim dëgjuar të bërtisnin gjatë gjithë ditës, por nuk menduam se do të shpërthenin në dhunë”, – tregoi një studente franceze, 16-vjeçarja Sarah Avel. Policia tha se tifozët kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli, prandaj dhe ishte provokuar dhuna.

chelseaNOTAT
PSG
Sirigu 6,5: S’pati asnjë shans te penalltia e Hazardit. Luan mirë me këmbë dhe është i mirë në daljet për të grushtuar.
Zhalet 7: Ndeshje e shkëlqyer në të djathtë. Nuk i lë asnjë mundësi Hazardit në korsinë e tij duke e detyruar të spostohet në qendër.
Tiago Silva 6: Bën një gabim trashanik në pjesën e parë, por në të dytën bën dy ndërhyrje shpëtimtare, që shpëtojnë PSG-në nga dy gola të sigurtë. Kapiten i denjë.
Aleks 6,5: Dominon bindshëm në fillim kundër Shyrrles dhe më pas ndaj Torresit. I neutralizoi aq shumë saqë dukeshin sikur ata nuk ishin në fushë.
Maksuell 5: Është hallka më e dobët e zinxhirit të mbrojtjes. Murinjo e kupton këtë dhe urdhëron Çelsin të sulmojë gjithnjë nga krahu i tij, duke e detyruar të bëjë një figurë jo të mirë.
Matuidi 6: Shpesh jashtë pozicionit të tij, sidomos në pjesën e parë. Megjithatë, vrapon si një i çmendur në fushën e lojës.
Verrati 6: Murinjo kishte vendosur të mos “ia merrte frymën” siç bën zakonisht me fantazistët kundërshtarë, por ai sërish gabon shumë në pjesën e parë, duke humbur shumë topa dhe duke ndërhyrë rrezikshëm.
Tiago Mota 6: Lodhet shumë në pjesën e parë, sepse asnjëherë nuk kombinoi si duhet me Verratin në fazën mbrojtëse.
Laveci 7: Zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 3-të dhe ishte më i rrezikshmi në treshen ofensive të PSG-së. Nëse do të kishte një shënjestër më të mirë, mund të kishte shënuar sërish, por kështu do të quhej Mesi… Bëri të vuajë disa herë mbrojtjen e Çelsit.
(nga minuta 85′ Pastore 7.5: Në 5 minuta arriti të bëjë një kryevepër, duke çuar në delir gjithë Parisin).
Ibrahimoviç 5,5: Është sulmues i parë i PSG-së, por në fakt dje bëri rolin e regjisorit dhe të fantazistit. U përpoq të jepte disa asiste, por asnjë nuk çoi në zonë të rrezikshme. Doli për një problem muskulor dhe në vend të tij hyri Lukasi. Me të në fushë, PSG-ja pati më shumë ekuilibër.
Kavani 6: Ndeshja e zakonshme “alla Runi”, duke vrapuar në çdo cep. Për pak sa nuk shënoi një gol me një nga manovrat si në kohët e Napolit.
Trajneri Blank 7: Vuajti vetëm 30 minuta gjatë gjithë ndeshjes. Bollëku i stolit bëri diferencën. Pastore hyri dhe mbylli takimin. Pa Ibrën… Kjo do të thotë shumë…

ÇELSI
Çeh 5: I pasigurt! E pësoi keq nga Pastore në minutat e fundit dhe i vendosur keq në rastin e autogolit të David Luizit.
Ivanoviç 5,5: Laveci i shpëton disa herë. Ai përpiqet të ruajë nderin me disa dalje përpara, por kjo nuk ishte e mjaftueshme.
Terri 5: Gabon dukshëm në rastin e golit të Lavecit dhe gjatë gjithë ndeshjes është disi i hutuar. Shumë larg kohëve të tij të arta.
Kahill 5: As ai nuk arrin të lërë gjurmë në këtë sfidë. Nëse nuk do të kishte ndihmën e mesfushorëve të tij, do kishte vuajtur akoma më shumë. Ndeshje për t’u harruar.
Azpilikueta 6: Më i miri i fazës defensive të Çelsit. I përpiktë në ndërhyrje dhe i pagabueshëm taktikisht.
Ramires 5: Lodhet shumë në mesin e fushës, sepse hera herës i duhet të përballet me tre lojtarë të PSG-së. Shkaktoi një ndërhyrje të gabuar duke marrë të verdhë dhe duke humbur ndeshjen e kthimit.
David Luiz 5,5: Përpiqet të bëjë pak nga të gjitha në rolin e mesfushorit qendror. Gjeti edhe rrugën e portës, por atë të gabuarën… Pas krahëve të tij, sulmuesit e PSG-së veprojnë sipas qejfit në pjesën e dytë.
Uillian 5,5: Vepron mirë në të dy krahët dhe shpesh është i rrezikshëm me inkursionet e tij, por tradhtohet nga mungesa e një bomberi në zonë. Gjithsesi, në të kaluarën ka bërë më mirë sesa paraqitja e djeshme.
Oskar 5,5: Pak shkëndija nga ato të tijat, por ama kur “ndizet” Çelsi bëhet i papërmbajtshëm.
(nga 72′ hyn Lambard 5: Nuk arrin të menaxhojë si duhet me shokët e tij pjesën e fundit të ndeshjes)
Hazard 6: Nxjerr në pah edhe njëherë cilësitë e tij të pafundme. (Shtylla e goditur prej tij të lë pa frymë). Shënoi me gjakftohtësi një penallti dhe është shpresa e vetme pas të cilës Mou po “kacavirret me thonj”.
Shyrrle 4,5: Dakord, nuk ishte në rolin e tij, por në harkun e një ore ishte thuajse i padukshëm.
Trajneri Murinjo 5: Në pjesën e dytë, PSG-ja e shtang totalisht nga forca fizike dhe cilësitë që shtohen pas ndërrimeve që bën rivali. Në Londër do t’i duhet të bëjë një përmbysje të madhe, ndryshe është i eliminuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"