PSG do Benzemanë, Reali refuzon 40 mln

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:46

PSG do Benzemanë, Reali refuzon 40 mln

Nuk u kanë mjaftuar 143 milionë eurot e shpenzuara për Ezekiel Lavecin, Zlatan Ibrahimoviçin, Tiago Silvën, dhe Lukas Mourën vetëm në merkaton e verës. Sepse sheikët e PSG-së, pasi kanë marrë përgjigje negative për Mario Balotelin nga Mançester Siti, (ofruan 51 milionë euro), kanë marrë së fundmi dhe refuzimin e Realit për Karim Benzemanë. Sipas asaj që raporton madrilenia “Marca”, drejtori i përgjithshëm i klubit parisien, Leonardo, ka kontaktuar me presidentin Florentino Perez për t’i bërë ofertën, por përgjigja e numrit 1 në Bernabeu ka qenë e prerë: “Karim nuk largohet nga Madridi për asnjë shifër”. Ish-ylli i Lionit, i cili u transferua për 35 milionë euro plus bonuset në Madrid është i lumtur te “galaktikët”. Nëse sheiku Al- Khelaifi do të ishte interesuar një sezon më parë, kur sulmuesi i kombëtares franceze nuk ishte një titullar i rregullt në “Bernabeu”, ndoshta do të kishte shanse ta rikthente atë në shtëpi. Por pronarët e PSG-së, të cilët deri tani kanë shpenzuar 249 milionë euro në total për merkato, janë gati të rikthehen me një ofertë të përmirësuar, duke e rritur propozimin e tyre me 5 milionë euro të tjera. Një sezon më parë, skuadra e Ançelotit shprehu interes edhe për bomberin tjetër të Murinjos, Gonzalo Higuain, por nuk bënë kurrë një ofertë zyrtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"