Problemet me listën e Shpresave, Bushi e modifikoi… në heshtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2021 | 17:05

Problemet me listën e Shpresave, Bushi e modifikoi… në heshtje

Fatmir Prengaj ishte në fushë me Kombëtaren Shpresa në transfertën e humbur 4-0 ndaj Republikës Çeke. Deri këtu nuk ka asgjë. Futbollisti i Laçit e meriton plotësisht të jetë pjesë e ekipit U-21, njësoj si çdo shqiptar tjetër që ka arritur një nivel të caktuar, qoftë në ekipet e kampionatit shqiptar apo çdo skuadre tjetër jashtë vendit.

Shpresat Bushi

Mirëpo, problemi është tjetërkund. Bëhet fjalë për një problem të ndodhur me listën e ekipit U-21 nga trajneri i Kombëtares U-21, stafi i kësaj përfaqësueseje ose edhe më rëndë akoma, nga drejtuesit e FSHF-së.

MODIFIKIMI – FSHF ka publikuar më 27 gusht listën e Kombëtares U-21, me 22 emrat që do të ishin në dispozicion të trajnerit Bushi për sfidën kualifikuese ndaj Çekisë. Po çfarë ka ndodhur? Në faqen e FSHF-së, me kalimin e ditëve, lista e Kombëtares U-21 është ndryshuar. Në të është bërë një ndërhyrje e cila duket edhe grafikisht me shtimin e një rreshti emrash (më i gjerë se rreshtat e tjerë), ku është futur Fatmir Prengaj dhe lista është shtuar tashmë me 23 emra. Gazeta ka pyetur zëdhënësin për shtyp të FSHF-së, i cili ka pranuar se “Prengaj është thirrur rreth dy ditë pas shpalljes së listës e cila pati disa ndryshime sepse kishte lojtarë të dëmtuar. Lista që është në faqen online duhet të jetë përditësuar”, u shpreh zyra për shtyp e FSHF-së.

LISTA- Mirëpo, skandali qëndron në faktin se FSHF-ja gjatë çdo dite të grumbullimit ka njoftuar ndryshime të herëpashershme të listës së U-21, për shkak të lojtarëve që nuk janë paraqitur për dëmtime apo arsye të tjera. Po Prengaj pse u fut fshehtas në Kombëtare dhe pse nuk u njoftua si të gjithë lojtarët e tjerë që janë shtuar gjatë ditëve?

Kush kërkon që ta fshehë një lojtar, cilido qoftë ai pak rëndësi ka emri, duke treguar se me këtë ekip përfaqësues sillet si në pronë private? Kjo është vepër e trajnerit, stafit të Kombëtares U-21 apo edhe më tej, me dijeninë e drejtuesve të FSHF-së?

Lista Shpresat logo

Në Kombëtare meriton të jetë çdo lojtar që ka kontribut dhe mund të jetë ndër më të mirët e rolit të tij, porse stafi i kombëtares ka detyrimin të jetë transparent me këdo që thirret ta veshë atë fanellë, pa e futur fshehtas apo me modifikime amatore në një listë të publikuar në ueb.

DIXHITURAT – Në krah keni listën e botuar në “Panorama Sport”, marrë nga FSHF-ja menjëherë sapo është publikuar më 27 gusht dhe në të djathtë, listën e modifikuar në mënyrë amatore nga FSHF-ja pa bërë asnjë njoftim për këtë, në lidhje me një lojtar të shtuar në grumbullim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"