Prezantohet Nevil Dede: Ja pse zgjodha Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2018 | 14:56

Prezantohet Nevil Dede: Ja pse zgjodha Erzenin

Dje, në orën 13:30, 30 minuta për para fillimit të seancës stërvitore, në një nga ambientet e stadiumit “Tofik Jashari” u bë prezantimi nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Erzenit, Astrit Hoxha, i trajnerit të ri të skuadrës, Nevil Dede.

Dede

Ish-lojtari dhe ish-trajneri që ka drejtuar disa ekipe në futbollin shqiptar dhe së fundmi edhe Kombëtaren e Femrave, dje ka marrë në dorë drejtimin e Erzenit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama Sport”, trajneri i tregon të gjitha, që nga arsyet që pranoi ofertën e Erzenit dhe problemet sipas tij që ka klubi.

Ndërkaq, Dede do të debutojë në stolin e Erzenit me miqësoren që skuadra shijakase do të luajë sot në fushën e vet ndaj Ilirisë. Një takim, ku trajneri do të ketë mundësinë të shohë formën e lojtarëve të tij për herë të parë.

Çfarë ju shtyu të pranonit ofertën e Erzenit?

Të them të vërtetën, e kam pritur mjaft mirë sepse kam edhe shumë njohje në Shijak, si dhe mjaft respekt për skuadrën e futbollit të Erzenit, me të cilën jam ndeshur dikur kur shijakasit ishin në Superiore. Pra, kam ardhur me plot dëshirë dhe do të kontribuoj me gjithë kapacitetin tim profesional.

Keni ardhur në një moment, kur sezoni futbollistik është gati në mesin e tij dhe Erzeni lëkundet mes 5- shes së parë dhe të dytë. Çfarë objektivash do të ketë skuadra?

Natyrisht, do të njihem fillimisht me ekipin gjatë kësaj periudhe deri në fillim të sezonit të këtij viti dhe kam bindje se qëndrimi në 5-shen e parë do ta realizojmë duke pasur parasysh edhe bashkëpunimin e ngushtë si me futbollistët ashtu edhe me stafin drejtues.

Nevili

Nga skuadra janë larguar tre lojtarë të rëndësishëm. Do të ndërhyni në merkato?

Pa diskutim, krahas përgatitjeve deri më 27 janar në mënyrë sa më të shpejtë, do të bëjmë të mundur plotë- simin e reparteve aty ku është e domosdoshme. Dhe për këtë po punohet intensivisht nga drejtori Astrit Hoxha dhe menaxheri Gëzim Peza.

Si ju duket ambienti në Shijak dhe çfarë keni kërkuar nga drejtuesit?

Ajo që është shqetësuese, është mungesa një fushë stërvitore për zhvillimin e seancave dhe për këtë do ndërhyhet sa më parë me rregullimin e mjedisit që është pranë fushës së ndeshjeve. Dhe deri sa kjo të rregullohet, do të zhvillojmë seancat stërvitore në një mjedis tjetër jashtë Shijakut.

Sa do të qëndrojë Dede tek Erzeni dhe çfarë do të kërkoni nga futbollistët?

Të them të drejtën, dëshira ime është të punoj sa më gjatë në Shijak dhe kam ardhur këtu me plot pasion për të bërë më të mirën për futbollin e këtij qyteti që aq shumë e do këtë sport.

Synimi im është që, krahas realizimit të objektivit për qëndrimin në 5- shen e parë, të ndërtojmë një ekip për sezonin tjetër me mjaft ambicie. Ndërsa nga futbollistët do kërkoja zbatim rigoroz të disiplinës, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje për të luftuar fort në çdo takim për të marrë maksimumin e mundshëm. Kam ardhur sepse kam besim në këto që them.

FIQIRI SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"