“Pretendimet ndërtohen me rezultate”, Çela: Pres një ekip më agresiv, nuk dua lojtarë individualistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2023 | 14:44

“Pretendimet ndërtohen me rezultate”, Çela: Pres një ekip më agresiv, nuk dua lojtarë individualistë

Emiljano Çela e ka kristalizuar në kokën e tij 11-shen titullare, por qartëson se askush nuk do ta ketë të sigurt formacionin te Flamurtari.Cela

Në fushë do të zbresin vetëm lojtarët që i përgjigjen fizikisht dhe taktikisht. Është ky mesazhi që jep gati dy javë para nisjes së garës. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri flet për shumëçka dhe më hapur se kurrë. Vërtet vlerëson cilësitë që lojtarët e tij zotërojnë, por qartëson se në ekip nuk do individualist. Me patjetër e do edhe ai ngjitjen në elitë, sidoqoftë thekson se pretendimet ndërtohen duket marrë rezultate dhe jo me fjalë.

Me fazën përgatitore, që po shkon drejt fundit dhe miqësoret e zhvilluar, e ka “fiksuar” 11-shen titullare Çela?

Këto dy javë përgatitje do të jenë shumë të rëndësishme për ne. Do të na shërbejnë për të qenë sa më të qetë dhe bëhemi gati për startin. Unë një ide patjetër e kam, por do të zgjedhim që të luajnë me lojtarët që na përgjigjen taktikisht apo fizikisht në të dyja fazat e lojës. Këto ditë do ta na ndihmojmë shumë më shumë për t’u konsoliduar, por mund të them që jemi gati për startin.

Jeni i kënaqur nga çfarë po jep skuadra?

Patjetër që jam i kënaqur. Në miqësore kundër Apolonisë mora sinjale shumë të mira dhe sidomos në pjesën e dytë. Në vija të përgjithshme jemi gati. Ekipi ka punuar mirë dhe ka tregues të mirë fizikë.

E shikoni të vështirë garën këtë sezon?

Na duhet të luftojmë shumë ndeshjet e para, sepse janë shumë të rëndësishme për ne. Duhet të fillojmë të ndërtojmë besimin te njëri-tjetri, por edhe te ambienti. Duhet të dimë që petkun e ekipit pretendent e marrim në fushë me rezultate.

Çfarë prisni më tepër nga ky grup?

Pres më shumë agresivitet. Në testin e fundit miqësor luajtëm me ritëm dhe intensitet të mirë. Skuadra pastaj zbatoi detyrat dhe ato çfarë kemi punuar gjatë seancave stërvitore. Por individë të veçantë duhet të japin më shumë…Pres më shumë nga loja në grup. Nuk duhet të jemi individualist sikundër ndodhi në ndeshjen miqësore me Apoloninë, që i kishim mundësitë ta mbyllnim me një rezultat edhe më të thellë.

Ish-trajnerë apo edhe lojtarë që kanë luajtur me ju dhe sot i keni edhe te Flamurtari, ju cilësojnë si një futbollist “agresiv”. Po e injektoni këtë agresivitet te skuadra tashmë si trajner?

Unë mendoj që agresiviteti apo edhe intuita është një cilësi, ashtu siç mund të jetë dikush i shpejt apo teknik. E rëndësishme është të kemi ndërthurjen e këtyre elementëve në të gjitha repartet. Me këtë kontingjent i kemi mundësinë ta bëjmë këtë gjë. Jam i sigurt që ekipi do të përgjigjet ashtu siç ne të gjithë e duam.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"