Presioni te Barcelona/ Drejtuesit duan shkarkimin, Kuman si një i vdekur që ecën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 10:37

Presioni te Barcelona/ Drejtuesit duan shkarkimin, Kuman si një i vdekur që ecën

Humbja me Bajernin ka lënë pasoja të mëdha te Barcelona. Dhe për trajnerin Ronald Kuman ka nisur numërimi mbrapsht. As qëndrimi deri në të gdhirë të së mërkurës, por edhe vetëm e mërkura nuk kanë qetësuar ujërat e turbulluara në “Camp Nou”. Fillimisht u fol se Barcelona ka vendosur t’i japë 3 ndeshje kohë trajnerit për të ndryshuar rrjedhën e sezonit dhe për të shpëtuar fytyrën e tij.

kuman

Por situata në Barcelonë po ndryshon shpejt dhe shkarkimi i Kumanit mund të bëhet realitet pa pritur javën e ardhshme, për të mos folur për tri takimet e radhës. Të paktën duke iu referuar televizionit spanjoll “TV3” si dhe gazetës “AS”, disa pjesëtarë të kupolës drejtuese të Barcelonës kanë shtuar presionin mbi presidentin Laporta për shkarkimin e teknikut holandez.

TAKIMI I SË ENJTES – Presidenti i Barcelonës dhe të tjerë drejtues të klubit kanë zhvilluar të enjten një tjetër mbledhje mes tyre i kanë kërkuar numrit një të klubit shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit Ronald Kuman. Për momentin Laporta i ka bërë ballë presionit të stafit, por nuk e ka ndarë përfundimisht mendjen për t’i dhënë duart trajnerit, i cili ka një kontratë deri në vitin 2022 me Barcelonën.

kuman

Por edhe shkarkimi i Kumanit nuk duket aq i thjeshtë për vetë faturën financiare të klubit. Një tjetër problem lidhet me faktin se në këto kushte ku ndodhet klubi nuk është shumë e lehtë për të gjetur zëvendësuesin e duhur. Ndërkaq, Zhordi Krojf që është dhe këshilltari kryesor i Laportës, e ka mjaft të vështirë që t’i tregojë derën e daljes një miku të familjes si Ronald Kuman.

ZËVENDËSUESI – Zhordi Krojf e ka të pamundur t’i thotë vetë Laportës për shkarkimin e Kumanit. Presidenti i Barçës nga ana tjetër është në pozitë të vështirë pasi emri që lakohet për timonier të ri nuk e bind plotësisht atë. Në ambientet në “Camp Nou”- t flitet se një emër në prag të derës është Serxhi Baruan, trajner i akademisë së klubit, por ai nuk duket të ketë kualifikimin e duhur për t’i ngarkuar një barrë të madhe.

Një tjetër emër i lakuar prej kohësh është Ksavi. Ish-ylli i Barcelonës ndodhet në Katar dhe pret vetëm një telefonatë për t’u kthyer në shtëpi, por fakti që ai nuk ka ardhur që në fillim të sezonit e bën të vështirë kthimin në Barcelonë si trajner në mes të sezonit. Për momentin ajo që është e sigurt qëndron në faktin se askush nuk beson më te trajneri Kuman, as vetë Laporta. Por, pamundësia për të zgjedhur njeriun e duhur në këtë moment vazhdon ta mbajë në detyrë trajnerin holandez.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"