“Presidenti i Ligës është kundër nesh”, shfryn Perez: Mbapesë i bënë presion për Realin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2022 | 15:13

“Presidenti i Ligës është kundër nesh”, shfryn Perez: Mbapesë i bënë presion për Realin

Teksa Reali festonte tit ullin në La Liga, më herët gjatë majit të këtij viti, presidenti Florentino Perez shfaqej para mediave, duke deklaruar se do të fliste vetëm pasi të fitonte edhe Ligën e Kampioneve në Paris. Ai ka qenë një orakull i mirë, teksa Reali mundi Liverpulin 1-0, duke i shtuar një tjetër kupë me veshë të mëdhenj koleksionit të tij (14).

perez

 

presidenti Perez e ka mbajtur fjalën, duke qenë i ftuar në “El Chiringuito” në Spanjë, ku ka dhënë një intervistë të gjatë që ka ndezur polemika. Perez nuk ka kursyer askënd, duke nisur nga Mbape e PSG-ja e duke përfunduar me presidentin e Ligës, Havier Tebas. Perez nuk ka lënë pa përmendur edhe merkaton si dhe Barcelonën.

SHPJEGIMI PËR DËSHTIMIN E FIRMËS ME MBAPENË

“Ëndrra e tij ishte të luante për Realin. E kërkuam që verën e vitit 2021, por PSG-ja refuzoi. Para se të rinovonte me PSG-në, ishte thuajse gjithçka e kryer, por në 15 ditë ndryshoi gjithçka. Nga njëra anë presioni politik dhe nga ana tjetër ai ekonomik bënë të vetën. Të them të drejtën, ky nuk është Mbapeja që doja, nuk është Mbapeja me të cilin kisha biseduar. Ky është një tjetër Mbape, është një lojtar që iu desh të ndryshonte ëndrrën e tij. Ai është shumë i ri dhe presioni ndikon shumë, ndikon te të gjithë në fakt. Nuk është e lehtë të të telefonojë presidenti i Francës. Nuk di se çfarë të them më shumë, gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin”.

NDRYSHIMI I MBAPESË

“Natyrisht që të gjithë ndryshojnë kur të ofrojnë gjëra deri në të pabesueshme, të bëjnë presion… Në Madrid është ndryshe, askush nuk është më i madh se klubi. Mbape është një lojtar i madh, mund të fitojë shumë më tepër para se të tjerët, por futbolli është një sport kolektiv dhe ne kemi vlera dhe parime që nuk mund t’i ndryshojmë. Ia dua të mirën, ai vendosi të bëjë një sforco, por presioni mbi të ishte aq i madh, saqë e detyroi të ndryshonte vendim. Nuk është e lehtë”.

MUNGESA E NJË PARAKONTRATE ME KILIË

“Nuk mund të bëhej, sepse ne duhet të bisedonim me klubin e tij dhe kjo mund t’i shkaktonte më shumë probleme. Të jeni të sigurt se nëse do të kishim ndërmarrë një hap të tillë, PSG-ja do ta kishte bërë publike dhe kjo do të shtonte presionin mbi të. Mbapeja që do të vinte në Madrid nuk është më. Ky Mbape nuk është Mbapeja që doja”.

PRESIONI MBI TË

“Vonimi i firmës çoi më pas edhe në ndryshimin e vendimit. E përmenda më lart nuk është e lehtë të të telefonojë presidenti i vendit (Makron), të të telefonojë kryetari i Bashkisë së Parisit që të mos largohesh… Kjo është Franca. E më pas në lojë hyri edhe Katari që nga ana ekonomike i ofroi shuma përtej kësaj bote si dhe të tjera benefite tepër shproporcionale për një futbollist”.

ZIDAN TE PSG-ja

“Zidan është një madrilen dhe një legjendë e kombëtares franceze. Por edhe ai mund të ndryshojë mendim, ku i dihet”.

HALAND

“Ne kemi numrin 9 më të mirë në botë dhe nuk mund ta merrnim Halandin për ta ulur në stol, apo jo? Klauzolë me Sitin pas dy vitesh? Nuk e di. Tani nuk kemi më asnjë interes për të firmosur me asnjë lojtar tjetër”.

MERKATO E MBYLLUR

“Për momentin nuk po shohim më për afrime, sepse nuk na duhen të tjerë lojtarë. Tani e gjithë puna në muajt korrik e gusht do të fokusohet te shitjet. Nëse Benzema do të ketë probleme, do të mundohemi t’i gjejmë një zëvendësues”.

ANÇELOTI

“E kam falënderuar që pranoi të vinte te Reali. Atmosfera në klub është e jashtëzakonshme, ai është një njeri i shkëlqyer që di të punojë si duhet duke mbajtur ekuilibrat. Pastaj kemi dhe një përgatitës fizik fantastik. Ky ka qenë një vit që duhet shënuar në kalendar”.

BENZEMA 2009

“I thanë se do të vinte te Reali dhe ai pyeti: ‘Me ‘Galaktikët’?’ Ishte i ndrojtur, vetëm 20 vjeç. I thashë nëse donte të vinte në Madrid, m’u përgjigj duke tundur kokën”.

REALI I “GALAKTIKËVE”

“Ajo është një histori e gjatë dhe e ndërlikuar. Ndërsa sot është krejt ndryshe. Rrallë ndodh që të të shesin lojtarët e mëdhenj. Nëse e bëjnë kërkojnë shuma marramendëse. Ne vetë po e ndjekim këtë politikë duke vendosur klauzola deri në 1 miliard euro për lojtarët tanë më të mirë”.

VINICIUS

“Po më thoni se një trajner që kemi pasur ka dashur ta shesim Viniciusin. Nuk e di. Askush nuk dëshiron shitjen e tij. Unë mendoj se në një të ardhme të afërt do të jetë fitues i ‘Topit të Artë’, siç do të jetë këtë vit Benezema”.

BEJL

“Ka qenë një nga lojtarët e mëdhenj të Realit, kujtoni Kievin, Valencian, Lisbonën… Është një lojtar spektakolar dhe që e dua shumë”.

HAZARD

Ka qenë i pafat me dëmtimet, por duket se ka lënë pas gjithçka dhe mezi pret sezonin e ri. Ka një dëshirë gati të papërmbajtur dhe ne duhet të besojmë tek ai”.

TEBAS, LA LIGA DHE REALI

“Nuk mendoj se Tebas mbështet Realin, as unë nuk ndihem i mbështetur prej tij. Përkundrazi, unë ndihem i paragjykuar. Ne kemi ngritur një padi për një marrëveshje që ata kanë bërë dhe që është e paligjshme”.

BARCELONA DHE FONDI “CVC”

“Barça është një klub serioz. Ata gjithashtu kanë denoncuar një marrëveshje ilegale”.

SITUATA EKONOMIKE E BARÇËS

“Në jetë ka situata ekonomike më të favorshme ose më pak të favorshme. Barça është një nga klubet më të mëdha në botë, që ka një vlerë prej 4 ose 5 miliardë eurosh, mund të kalojë një situatë të vështirë, por ka mekanizma për të dalë përpara. Barça është një klub i madh, për mendimin tim ne jemi dy skuadrat më të mëdha në botë dhe kur ne luajnë ‘El Clasico’, ajo është një ndeshje që e shikojnë 600 milionë njerëz”.

LEVANDOVSKI DHE BARÇA

“Ai nuk është një lojtar i lirë, pasi ndodhet nën kontratë me Bajernin, por mendoj se është shumë i mirë”.

LARGIMI I MESIT

“Edhe Marselo u largua mes lotësh. Nuk më bën të ndihem mirë kur largohen lojtarë të mëdhenj nga Spanja edhe pse mund të luajnë me klube rivale. Do të isha i lumtur nëse Levandovski do të vinte te Barça, kjo i bën mirë kampionatit spanjoll”.

MARRËDHËNIET ME LAPORTËN

“Janë të mira”.

PËRMBYSJET NË CHAMPIONS

“Kemi vuajtur në ndeshjen e parë në Paris, po kështu ka ndodhur dhe me Sitin në Angli apo Çelsin në Spanjë. Gjithsesi, ne e kishim të qartë në mendje se donim të fitonim Ligën e Kampioneve. Të gjitha këto klube nuk i shoh si armiq, por si miq rivalë”.

PSG-JA DHE TÇUOMENI

“E di se Mbape i ka thënë që t’i bashkohej PSG-së, por ai ka qenë i qartë siç e ka shpjeguar dhe vetë. Pastaj nuk ka ndonjë gjë për t’u mërzitur, sepse kur flitet për merkato, të gjithë duan të përfitojnë. Nuk e ka kërkuar vetëm PSG-ja, por edhe Liverpuli e Reali dhe ai zgjodhi Madridin”.

KLUBET SHTETE

“Kur zbret në fushë, askush nuk mendon se cili është pronari i klubit”.

SUPER LIGA

“Sigurisht që është ende gjallë, tani ka një çështje në Gjykatën e Luksemburgut, do të ketë një seancë dëgjimore së shpejti dhe do të vendosë për çështjet që kemi ngritur. Ne besojmë se kemi të drejtë, që brenda BEsë të organizojmë edhe kompeticione të tjera. Ne e kuptojmë që UEFA është monopol dhe në Evropën e 27-shes konkurrenca është një nga shtyllat e Unionit”.

PËRJASHTIMI NGA CHAMPIONS

“Nuk kemi pasur kurrë frikë për një gjë të tillë. E kemi të pasur të qartë që në ditën e parë”.

INCIDENTET NË FINALEN E PARISIT

“Finalja e Ligës së Kampioneve është një spektakël, por që këtë vit u kthye në një shëmti. I kemi kërkuar UEFA-s që ditën e parë se cilat ishin kriteret për caktimin e Parisit si vend organizator. Sikurse i kemi kërkuar llogari qeverisë franceze për se nuk mbrojti tifozët tanë dhe të Liverpulit. Ata janë vjedhur, janë grabitur, janë keqtrajtuar, kanë përfunduar në spitale. Nuk na kanë kërkuar ende falje”.

 LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"