Presidenti Gjoza: Medalistët janë likuiduar të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2014 | 12:21

Presidenti Gjoza: Medalistët janë likuiduar të gjithë

Gjoza me Godellin dhe QerimajnNë premierën e emisionit sportiv “Fair Play” në “News 24”, të drejtuar nga moderatorja Enkeleida Zeko, temë e diskutimit ishte triumfi i Kombëtares shqiptare të peshëngritjes në Botërorin e Almatisë në Kazakistan. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, deklaroi se të gjithë peshëngritësit medalistë janë likuiduar me shpërblimet e prapambetura prej disa vitesh për medaljet e fituara në arenën ndërkombëtare. Njëherësh në fjalën e tij bëri apel për më shumë mbështetje nga sponsorët për medalistët botërorë. Mes të tjerash, kreu i shtangës kuqezi shtoi se do t’u kërkojë drejtuesve të shtetit për më shumë përkrahje, ndërsa pranoi vështirësitë financiare që po kalon vendi. “Unë jam me këmbë në tokë dhe e shoh edhe buxhetin e krizën ekonomike që ka pas rajoni dhe vendi ynë. Dhe nuk dua të fluturoj. A kam kërkuar, a do të kërkoj? Patjetër. Do t’i kërkoj kryeministrit dhe mikut tim Ilir Meta mbështetje”. Ndërsa medalistja e artë, Begaj, shprehu emocionet pas suksesit historik të arritur. “Atë moment ishte e pamundur të mos qaja. Ishte me të vërtetë një arritje shumë e madhe. Në fakt, të gjitha kompeticionet kanë emocione, por gara në Kazakistan ishte shumë e rëndësishme për mua dhe shumë e fortë”. Mbrëmjen e 14 nëntorit dy kampionët e botës, Daniel Godelli dhe Romela Begaj, së bashku me delegacionin shqiptar pjesëmarrës në Botërorin e të rriturve në Almati u pritën me shumë entuziazëm në aeroportin “Nënë Tereza”, por edhe nga shumë të afërm dhe tifozë kuqezi. Me përfundimin e kampionatit botëror, për momentin, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike “Rio 2016” me 6 sportistë: 5 meshkuj dhe 1 femër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"