Preknicaj merr për dore Lushnjën: Me Vorën rikthehemi te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 22:23

Preknicaj merr për dore Lushnjën: Me Vorën rikthehemi te fitorja

Në javën e 20-të të Kategorisë së Parë, lushnjarët barazuan 1-1 në Fushë-Krujë përballë Kastriotit. Dy javë para mbylljes së fazës së dytë, skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani ndodhet në vendin e shtatë të klasifikimit.

bandicam 2024-02-11 14-00-00-816

Tashmë diferenca me zonën “play-off” është 3 pikë larg. Verdhejeshilët bënë një ndeshje të mirë dhe zhbllokuan rezultatin me sulmuesin Preknicaj. Ndërsa pas barazimit goditën traversën me Dragoj. Për sulmuesin shkodran të Lushnjës, Kristian Preknicaj, ky ishte goli i tretë sezonal dhe i pari për të në transfertë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi 21- vjeçar thotë: “Ekipi u paraqit mirë, me dëshirë dhe modul të ri loje. Terreni nuk na ndihmoi, gjithsesi jemi në rrugën e duhur. Morëm një barazim, ndërkohë që ishim pranë fitores dhe me pak fat do t’ia kishim dalë. Rastet nuk na munguan dhe u përpoqëm deri në minutën e fundit për të arritur te fitorja.

Pas humbjes me Bylisin, ky rezultat dhe kjo paraqitje mendoj se ishte pozitive. Golin që shënova ia dedikoj të dashurës sime, familjes dhe tifozëve të Lushnjës, që edhe në FushëKrujë ishin të shumtë”. Lushnja është një kandidate e fortë për vendin e gjashtë dhe takimi i radhës do të jetë në “Roza Haxhiu” me Vorën. Ndërsa ndeshja e fundit e fazës së dytë është përballja e drejtpërdrejtë me Korabin në Peshkopi.

“Në ndeshjen me Vorën, si në të gjithë takimet, do të hyjmë në fushë për fitore. Pavarësisht se kush është kundërshtari, ne luajmë për pikët maksimale në çdo takim. Lushnja ka një trajner shumë kërkues, që ka injektuar mentalitetin e duhur në ekip. Na kërkon me ngulm të luftojmë për objektivin maksimal”, deklaroi sulmuesi Preknicaj.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"