Alarmi i Nallbanit: Kjo Tiranë rrezikon rënien nga Superiorja, trajneri Dede të dorëhiqet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2013 | 13:50

Alarmi i Nallbanit: Kjo Tiranë rrezikon rënien nga Superiorja, trajneri Dede të dorëhiqet

NallbaniPARTIZANI-TIRANA (1-0) ishte një derbi që u luajt më shumë në tribuna se sa në fushë. Është ky mendimi i Blendi Nallbanit, vetëm 24 orë pas këtij dueli. Askush më mirë se ai nuk e di se ç’do të thotë Partizani-Tirana. Ka luajtur për 24 vite me radhë shumë derbi, teksa ka veshur jo vetëm fanellën e kuqe, por edhe atë bardheblu. Për Nallbanin, ndeshja e së shtunës duhet të mbyllej barazim. Në një analizë të detajuar për “Panorama Sport” ai komenton Partizanin, por mbi të gjitha ndalet te Tirana. Problemet te këta të fundit janë të mëdha, madje sipas ish-portierit, bardheblutë rrezikojnë seriozisht mbijetesën në këtë edicion. Sipas Nallbanit, një trajneri në ecuri të tillë, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të japë dorëheqjen.
Blendi, si e patë derbin Partizani-Tirana?
Në fakt, unë e ndoqa nga shtëpia derbin, pasi nuk doja të përfshihesha shumë emocionalisht te kjo përballje. Spektaklin e tifozëve e shijova nga monitori, ndërsa për atë që pamë në fushë, mendoj se ishte në një nivel shumë të ulët. Në fushë përvoja mbi derbin ishte në nivelet zero. Me kokrra ishin ata që mund të kishin luajtur ndonjë derbi vitin e shkuar në kupë. E habitshme kjo.
Doni të thoni që nuk pati futboll?
Jo, është shumë larg historisë së derbeve që jemi mësuar të luajmë ne, apo paraardhësit tanë. Nuk ka kurrfarë lidhje, loja ishte tepër e dobët dhe larg çdolloj pritshmërie. Ndaj, dua ta theksoj se spektakli dhe emocioni i vetëm erdhi prej tribunave.
Kush ishte më lart, Partizani apo Tirana, në atë 90- minutësh?
Nuk është se pati diferenca të mëdha, më shumë loja u përqendrua në mesfushë, por edhe aty më shumë rrëmujë pati. Megjithatë, Partizani u shfaq më i qetë, ndërsa Tirana gaboi në disa drejtime. Në fakt, bardheblutë e kanë të trashëguar këtë, pasi kanë 3 vite që po lëkunden. Kjo vjen prej administrimit të gabuar dhe drejtuesve.
Ndikon fakti që ekipi u ndërtua në limit?
Pa e përmendur këtë fakt, që mund të ketë njëfarë ndikimi. Por fundja, edhe lojtarët vetë i zgjodhën.
Sa i përngjan ky ekip atij të para 3 sezoneve, kur ju ishit ende pjesë e Tiranës?
Ne, atëherë mund të kishim ndonjë problem të vogël, por jo kaq. Tani ka shumë presion, shumë probleme financiare. Neve na vonoheshin rrogat, por tani sikur është rënduar edhe më shumë situata. Mendoj se kjo skuadër është në mëshirë të fatit.
Po punën e bërë nga Dede si e gjykoni?
Nuk dua të merrem konkretisht me Deden, por ecurinë. Një ekip që renditet i 10-ti, ka shënuar 2 gola dhe pësuar 7, është çështje për t’u diskutuar. Ne në kohën tonë shënonim shumë dhe pësonim shumë pak. Megjithatë, që të dal te pyetja juaj, një trajner nëse nuk ka rezultate, duhet të japë dorëheqjen. Mua në fakt më ka bërë përshtypje fakti që edhe mes donatorëve, njëri e mbështet, tjetri e sulmon, këtu ka diçka që nuk shkon.
Ka të ardhme kjo skuadër?
Dëshirë ime është që të ketë një të ardhme, edhe pse jam disi mosbesues. Mendoj se me gjendjen që janë deri më tani, realisht rrezikojnë rënien. Edhe këtë sezon do bien katër ekipe direkte dhe Tirana është në vendin e tretë nga fundi. Uroj ta ndihmoj Zoti. Pastaj, kur mendoj se këtë javë luajnë me Bylisin, që janë shumë herë më lart se Tirana, më frikëson, pasi situata mund të rëndohet edhe më shumë.
Mund të ketë ndonjë shpresë në janar?
Nuk është problemi i vetëm te lojtarët, por tek organizmi. Ata mund të bëjnë afrime, por vështirë më duket. Edhe me merkato do luftojnë për mbijetesë. Gjithsesi, ky ekip nuk më ngroh.
Duke qenë se keni qenë edhe portier, si e gjykoni të riun që është në portë?
Është i vogël dhe nuk dua ta demoralizoj. Por ka luhatje. Një javë më parë ishte më i miri, tani më i dobëti. Megjithatë, edhe unë kur e nisa karrierën isha realisht shumë i vogël. Nuk është se çalon gjithçka te portieri në fund të fundit.
Kush ishte ai futbollist që ju pëlqeu në derbi?
Demiri i Partizanit, autori i golit, m’u duk shumë i qetë dhe i organizuar në lojën e tij. Hoxha ishte në gatishmëri dhe e mbrojti portën e tij siç duhet. Ndërsa nga Tirana veçoj Karabecin, i cili luftoi. Por, një lojtar i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë.
Pengu që ju ka mbetur që pas largimit nga Tirana?
Nuk është peng i mirëfilltë, pasi unë mora gjithçka nga Tirana dhe dhashë shumë. Por, më ka bërë përshtypje mënyra si u largova. Ishte shumë e keqe mënyra që më bënë dalje. Një ceremoni edhe e meritoja. Megjithatë, tani unë kam 3 vite e gjysmë që jam shkëputur, ndaj nuk mendoj fare për këtë gjë. Thjesht uroj dhe shpresoj që Tirana të rimëkëmbet dhe të kthehet ajo legjendarja.

Halili dhe Babasi ne stadiumPrapaskena, kërkohet ulje page për 12 lojtarë
Vetëm tri ditë para se Tirana të luante derbin kundër Partizanit, drejtuesit bardheblu u ka kërkuar 12 lojtarëve ulje page. Kërkesa ka qenë e njëjtë për të gjithë, rishikim i kontratave të firmosura prej tyre vetëm pak muaj më parë dhe zhvleftësim i të vjetrave. Dhe nuk bëhej fjalë për ulje minimale, sepse sipas planit të klubit ishin tepër të larta. Gazeta “Panorama Sport” zbulon prapaskenën e ndodhur pak ditë më parë në ambientet e klubit, e cila ka krijuar një situatë kaotike te kryeqytetasit. Një gjendje e pazakontë, teksa jemi vetëm në javët e para të këtij edicioni dhe kontratat në fakt janë firmosur vetëm pak muaj më parë.
Kërkesa Konkretisht të mërkurën, futbollistët janë telefonuar dhe u është lënë takim me administratorin Krenar Alimehmeti në zyrën e këtij të fundit. “Duam që të rishikojmë kontratat tuaja”, – ka qenë kjo tematika kryesore e këtij takimi. Por pasi kanë dëgjuar një gjë të tillë, futbollistët kanë refuzuar në mënyrë kategorike, duke mos e pranuar kështu kërkesën e bërë nga kreu i klubit. Jemi vetëm në javën e 7-të të sezonit futbollistik, ndaj lojtarët nuk kanë pranuar që t’u ulet rroga, duke qenë se muaj më parë kanë nënshkruar me kushte të tjera. Një gjë e tillë ndodhi disa orë para derbit të shumëpritur kundër “demave të kuq”, duke krijuar njëfarë shpërqendrimi dhe pasigurie në ambientin bardheblu. Sigurisht, një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa aprovimin e lojtarëve, ndaj gjithçka mbeti pezull.
Klauzolat Por nuk bëhet fjalë vetëm për këtë çështje, pasi konfuzion po krijon edhe klauzola e dëmtimeve. Lojtarët që kanë probleme fizike dhe nuk luajnë një përqindje të caktuar takimesh në muaj, rrogën do ta marrin të minimizuar. Në fakt, kontratat janë nënshkruar me vetëdije prej secilit futbollist, ndaj kjo pjesë është e parashikuar qartë në çdo marrëveshje. Kësisoj frika e gjithsecilit tashmë është që të mos dëmtohen, pasi një gjë e tillë do të prekte direkt rrogën e tyre. Por sikundër është pasqyruar gjatë kësaj kohe edhe në gazetë, te bardheblutë problemet në infermieri kanë qenë të mëdha. Për rrjedhojë, teksa do të marrin pagat e tyre mujore, do kenë një përqindje më pak, ndryshe nga sa e kanë të parashikuar.

Tifozët e Tiranës kundër Jeminit
Në të njëjtën linjë me drejtuesit kanë qenë edhe tifozët e Tiranës sa i përket arbitrimit të ndeshjes Partizani-Tirana. Në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ultrasit bardheblu i kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre kundër gjykimit dhe në veçanti të Lorenc Jeminit. Ata madje nuk kanë nguruar t’i shoqërojnë edhe me pamje filmike pretendimet e tyre për tri penallti të padhëna në favor të Tiranës. Por jo vetëm kaq, pasi ata e konsiderojnë golin e shënuar prej Demirit në pozicion jashtë loje. “Nuk mund të ngjante ndryshe, si për shumë vite me radhë nga e njëjta derë dhe familje! Ti maskarada e radhës, ti ai qe vendosi që gjithçka të ishte ndryshe… por kurrë nuk do arrini të zvogëloni Tironën!”, – shkruhej në një prej statuseve që kanë vendosur një ditë më parë tifozët. Këta të fundit, gjatë derbit të zhvilluar kundër Partizanit, kanë dhuruar spektakël më vete. Madje edhe pse skuadra e tyre ishte në disavantazh, ata kurrë nuk u dorëzuan, por i mbështetën lojtarët bardheblu deri në vërshëllimën e fundit.

Operohet Peqini, larg fushave për 5 muaj
Roland Peqini ka kryer ndërhyrje kirurgjikale në gju. Ditën e shtunë, teksa edhe Tirana ishte duke zhvilluar ndeshjen derbi kundër Partizanit, mbrojtësi nuk kishte veçse pak orë që kishte dalë nga salla e operacionit. Për fat gjithçka shkoi mirë, duke qenë se nuk pati asnjë lloj komplikacioni. Tashmë futbollistit i duhet të qëndrojë larg fushave 5 deri në 6 muaj, deri në rikuperimin e plotë. Gjatë kësaj periudhe ai duhet vetëm t’u nënshtrohet ushtrimeve që i kanë këshilluar mjekët, ndërsa pas gati një muaji mund t’i shtojë disi ngarkesat. Kujtojmë që kundër Lushnjës ai dëmtoi kroçatin, gjë që e detyroi edhe të operohej.

Taku pritet të jetë gati ndaj ballshiotëve
Afrim Taku është ende në proces rikuperimi. Ka më shumë se një javë që mesfushori i është bashkuar grupit në stërvitje dhe ka nisur të përgatitet normalisht, por duke evituar ngarkesat. Megjithatë, gjasat janë që ai të jetë gati kundër Bylisit. Ndoshta nuk është në 100- përqindëshin e tij, por këto ditë të mbetura deri në takimin kundër ballshiotëve, ai mund të riaftësohet plotësisht dhe të vihet në dispozicion të trajnerit Dede. Sakaq, Peposhi ka ezauruar dënimin, ndaj ai do të jetë gati për takimin e javës së 8-të. Mungesat e vetme të sigurta deri më tani janë Peqini i dëmtuar dhe Karabeci i pezulluar.

Kalendari, aspak favorizues
Teksa kanë mbetur edhe 4 javë nga mbyllja e fazës së parë të kampionatit, për Tiranën kalendari nuk është aspak i favorshëm. Deri më tani bardheblutë kanë grumbulluar 7 pikë dhe pozicionohen në vendin e 10-të, pra të tretët nga fundi. Në kushte të tilla, për t’iu larguar zonës së ftohtë, atyre u duhet që t’i bëjnë mirë llogaritë dhe të marrin maksimumin në katër ndeshjet e fundit. Pasi po të vijohet me të njëjtin ritëm, situata do komplikohej edhe më. Këtë fundjavë ata do të presin Bylisin, më pas do udhëtojnë drejt Kavajës, për t’u ndeshur më tej me Flamurtarin në kryeqytet, e për ta përmbyllur me Kukësin në transfertë.

Pritet analizë për derbin
Do të zhvillohet një analizë e detajuar për derbin. Gjasat janë që sot trajneri ta komentojë shkurtimisht atë humbje me Partizanin, por më vonë ndoshta do të realizohet një mbledhje edhe me drejtuesit. Do të diskutohet gjerë e gjatë ai 90-minutësh, ku do të përmenden jo vetëm të mirat, por mbi të gjitha gabimet e vërejtura. Sipas asaj që deklaroi pas ndeshjes njëri prej tre donatorëve, trajneri do vazhdojë të ketë besimin e tij. Sipas tij faji nuk ishte i stafit apo lojtarëve, por i gjykimit. Megjithatë më konkretisht ai duel dhe pritshmëritë për këto 4 javë të mbetura do të analizohen në mbledhjen e radhës.

E diela pushim, sot nis java anti-Bylis
E diela ka qenë pushim absolut për Tiranën. Lojtarët janë munduar që të qetësohen pas atij derbi të humbur. Një disfatë, e cila i ka rënduar shumë bardheblutë, duke qenë se prisnin shumë më shumë. Megjithatë, koha nuk premton, ndaj prej ditës së sotme do të nisë zyrtarisht java për një tjetër përballje. Në javën e tetë Tirana do të presë në shtëpi Bylisin, një sfidë që në letër parashikohet tepër e vështirë, nisur edhe nga gjendja e mirë që po kalon kundërshtari. Nisur edhe nga ecuria aspak e mirë e kryeqytetasve, ata janë të dënuar për të bërë kthesën, pasi në të kundërt gjithçka do të komplikohej. Aktualisht ata renditen në zonën e ftohtë, ndaj vetëm një fitore ndaj ballshiotëve mund të rikthejë qetësinë.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"