Po shkëlqen te Vllaznia, modesti Xhunior: Bëj vetëm detyrën, dua që të ngjis shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2018 | 17:32

Po shkëlqen te Vllaznia, modesti Xhunior: Bëj vetëm detyrën, dua që të ngjis shkodranët

Silvio Rodrigues Pereira Xhunior po kalon çdo parashikim. Askush në Shkodër nuk e kishte menduar që do të ishte braziliani ai që do të bënte diferencën me ngjyrat e Vllaznisë. Dhe statistikat janë më shumë se të kënaqshme, pasi ka shënuar 5 gola në 6 takime (kampionat e Kupë).

xhunior

Një mesatare premtuese për një “bomber”. E katërta javë e Kategorisë së Parë dhe ishte sërish ai që u dha fitoren kuqebluve. Falë goditjes së tij me kokë, të besuarit e Hasan Likës morën fitore të çmuar në Lezhë. Një trepikësh që konsolidon pozitat në krye dhe i konfirmon si pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në elitë. Sulmuesi është duke e bërë më së miri detyrën e tij, edhe pse thuhet që nuk është ende në formën optimale fizike. Stafi teknik pret shumë më shumë prej tij, por sigurisht që fakti që kanë gjetur njeriungol u ka dhënë qetësi për të vijuar rrugëtimin drejt misionit “Superiore”.

“Vllaznia pati mundësi për të shënuar që në pjesën e parë, por fituam falë cilësive individuale të Silvios (Xhuniorit). Ai ende nuk është në formën e tij maksimale, por është një lojtar i rëndësishëm për ekipin”, kështu ka deklaruar trajneri pas ndeshjes së luajtur me Besëlidhjen. Dhe kur thuhet që lojtari nuk është në maksimumin e tij, të shumtë janë kuriozët që presin ta shohin kur në të jetë në topformë.

Braziliani – Vetë braziliani shprehet i kënaqur me golat, ndërsa garanton se do të vijojë me të njëjtin ritëm. “Sigurisht që jam shumë i lumtur për nisjen e këtij sezoni. Të gjithë sulmuesit e duan këtë çmim. Do të kërkoj që të shënoj sa më shumë. Ne jemi një ekip dhe të gjithë duam të fitojmë. Qëllimi ynë është i vetëm: ta rikthejmë Vllazninë në kategorinë më të lartë, pra në Superiore. Por unë uroj që së bashku me të, të arrij edhe qëllimet e mia. Unë do të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë së bashku do të arrijmë atë që kërkon klubi. Një lojtar i vetëm nuk është asnjëherë shpëtim për ekipin. Gjithsesi, derisa puna ime është që të shënoj, do vazhdoj ta bëj”, u shpreh për gazetën braziliani i shkodranëve.

Statistikat – Xhunior po thyen rekorde pozitive, pasi në 6 takime ka arritur që të shënojë 5 gola. Katër në kampionat dhe një në Kupë. Një mesatare shumë e kënaqshme prej 1 goli në 101 minuta lojë. Shkodranët duket se kanë gjetur sulmuesin e duhur, i cili nuk u prit me aq entuziazëm në fillim. Në fakt, ai vërtet shënon, por edhe humbet shumë raste. Kështu ngjau edhe në Lezhë, ku pati mundësinë që të realizonte 2-3 aksione të pastra. Por braziliani mund të vlerësohet edhe për altruizmin e tij, pasi nuk di vetëm që të shtyjë topin në rrjetë, por edhe të shërbejë. Në të paktën dy raste ai ka asistuar për Bilalin dhe Ruqin.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"