Plaku: Pushimi na ndihmoi, gati për surprizën në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 18:40

Plaku: Pushimi na ndihmoi, gati për surprizën në Korçë

Kamza duhet t’i bëjë llogaritë mirë para sfidës kundër korçarëve, e cila është mjaft e rëndësishme. Skuadra ka paraqitur mjaft probleme, sidomos dëmtimet shqetësojnë para Skënderbeut. Kamza do të vuajë mungesën e 3 titullarëve, ku Argjend Malaj dhe Orjad Beqiri janë të konfirmuar, ndërsa në dyshim mbetet Hektor Idrizaj.

Sebino Plaku

Trajneri Klodian Duro është munduar ta përgatisë skuadrën për të marrë një rezultat pozitiv në Korçë, duke gjetur përshtatshmërinë e lojtarëve të tjerë që ka në dispozicion. Kapiteni i Kamzës, Sebino Plaku, është optimist për sa i përket ndeshjes që do të zhvillojnë të dielën në Korçë. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Plaku pohoi se Kamza mund ta fitojë duelin me Skënderbeun.

Keni pasur gati dy javë kohë për t’u përgatitur për këtë takim, sa ju ka ndihmuar kjo ndërprerje e kampionatit?

Periudha e pushimit na bëri shumë mirë, pasi trajneri ka qenë edhe më i qetë për të reflektuar dhe për të riparuar ato të meta që skuadra ka shfaqur. Pastaj jemi të vetëdijshëm se pak ekipe mund të përballojnë një garë kaq të ngjeshur. Mendoj se ky pushim ia vlejti për të rimarrë veten dhe për të rigjeneruar ekipin.

Si ish-lojtar, si e shikoni përballjen me Skënderbeun?

Tashmë nuk ka më kohë për të gabuar, kampionati sa vjen e po rëndohet. Skuadrat janë të etura për pikë, përpos detyrimeve që kanë në objektivat e tyre. Ne na duhet të shohim përpara për të marrë sa më shumë pikë. Si një ish-lojtar i Skënderbeut, mund të them se takimi në Korçë luhet në një ambient shumë të mirë. Është një fushë ku të lejon të luash dhe të marrësh më të mirën.

Si është reflektimi i skuadrës me trajnerin e ri dhe sa po e arrin ai përshtatjen e grupit?

Trajneri i ri, Klodian Duro, ka bërë më të mirën e mundshme. Ai e ka përshtatur edhe grupin, tek i cili po reflektohen lojërat e bukura, por së shpejti do të jenë prezente edhe pikët.

Abdulla Dushku 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"