Pikantet e Skënderbeu-Kukësi / Gega si Konte, Takaj “izolohet”. Lojtarët ngushëllojnë Vrapin pasi shpërtheu në lot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2022 | 19:54

Pikantet e Skënderbeu-Kukësi / Gega si Konte, Takaj “izolohet”. Lojtarët ngushëllojnë Vrapin pasi shpërtheu në lot

Me një stadium të boshatisur, Skënderbeu mbetet thatë në një moment të vështirë të sezonit. Për shkak të dënimit të fushës si pasojë e goditjeve që tifozët i kanë bërë gjyqtarëve anësorë, bardhekuqtë kanë vuajtur dënimin në një mbrëmje të ftohtë, por që u mbyll me një pikë për Skënderbeun. Në një ndeshje si kjo, mbështetja e besnikëve nuk ka munguar teksa të mbledhur disa tifozë nga jashtë stadiumit janë munduar të bëjnë kore dhe të kthehen në mbështetje për ekipin. Lexoni në vijim ngjarjet më pikante të sfidës, të servirura “Panorama Sport”.

meta gega

-Takimi nis keq për Skënderbeun dhe menjëherë me penallti për Kukësin. Sadriu nuk u beson syve. Pas vendimit të Metës, pas konsultës me sistemin VAR, Sadriu ndëshkohet me të verdhë, por vijon ta përsërisë shpesh edhe arbitrit të katërt edhe pankinës së tij. “Nuk e kuptoj këtë penallti, dorën ma çoi përplasja me trup me lojtarin e Kukësit. Se kuptoj pse jo faull dhe penallti?”, ishte irritimi i Sadriut.

-Pas golit të pësuar, Gega e ka parë të udhës që të qetësojë të tijtë. Fillimisht ka folur me Zguron për ta pasur vëmendjen vetëm te loja. “Nuk përfundoi asgjë Zguro. Fol, duhet të qetësohemi”, ishin fjalët e Gegës. Fjalë që Zguro ia ka transmetuar ekipit.

-Trajneri i Skënderbeut, Skënder Gega, në këtë takim ka kërkuar vazhdimisht të flasë me lojtarët. Në versionin Konte, trajneri bardhekuq komentonte çdo pasim me lëvizje dhe fjalë duke lënë që lojtarët të kishin një asistues në veprimet e tyre. Madje, ka shkuar edhe më tej, pasi sa herë që ndalohej loja trajneri përfitonte për të dhënë këshillat e tij drejtuar lojtarëve duke thirrur herë pas here 2-3 futbollistë pranë stolit.

-Ndeshja e djeshme është shoqëruar vazhdimisht nga era e fortë që është bërë disa herë faktor. Pavarësisht se nuk ka pasur ndalesa, era ka rrëzuar disa herë flamujt e këndit, duke kërkuar asistencën e anësorëve, por edhe punëtorëve të fushës për të rikuperuar gjithçka.

-Dukshëm që situata në të cilën ndodhet Skënderbeu nuk është aspak e qetë. Kjo reflektohej edhe në gjendjen e presidentit Ardjan Takaj. Fillimisht numri një i klubit është ulur në tribunë. Më pas ka kaluar në dhomën e tij, ku nuk ka dashur të jetë i shoqëruar nga njerëz të tjerë, për të parë i vetëm takimin dhe për të kontrolluar emocionet. Në fund të takimit, Takaj është parë të flasë me bashkëpunëtorët më të afërt duke u thënë se është i kënaqur me reagimin dhe lojën e zhvilluar nga të tijtë, por jo me rezultatin.

-Rasti i humbur nga Vrapi në limite të lojës do të ketë një peshë të jashtëzakonshme te lojtari. Mesfushori i ri ka shpërthyer në lot në dhomat e zhveshjes çka ka bërë që i gjithë ekipi t’i gjendet pranë. Nga Zguro e deri te Rexhepi, të gjithë kanë shkuar pranë tij duke e qetësuar dhe duke i thënë se të tilla situata ndodhin në futboll. “Janë gjëra që ndodhin dhe do të ndodhin. Nuk ke pse ul kokën. Mblidh veten dhe largo pesimizmin. Kemi shumë beteja përpara. Nuk do të bëjmë që ky rast të na penalizojë. Do t’ia dalim”, ishin fjalët e kapitenit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"