PIKANTE/ Teuta-Vllaznia/ “Është e pabesueshme!”, shkodranët e kanë me gjykimin, irritohet trajneri Brdariç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2021 | 21:53

PIKANTE/ Teuta-Vllaznia/ “Është e pabesueshme!”, shkodranët e kanë me gjykimin, irritohet trajneri Brdariç

Teuta triumfon ndaj kryesuesve dhe në fund kanë qenë drejtuesit e klubit që kanë menduar të shpërblejnë mundin e skuadrës. “Panorama Sport” ka mësuar se për tri pikët e marra ndaj Vllaznisë presidenca ka shpërblyer skuadrën me 10 mijë euro.

Teuta-Vllaznia Jorgi

Sa u përket të veçantave të ndeshjes në përgjithësi, arbitri i katërt, Arbër Zalla, ka pasur shumë punë dje, pasi i duhej të përballej me ankesat dhe irritimet e shkodranëve në lidhje me vonesat e shkaktuara nga vendësit, por edhe për vendimet e marra nga kryesori Enea Jorgji në disa raste.

-Presidentët, Edmond Hasanbelliu dhe Ardian Bardhi, e panë sfidën në tribunën “VIP” në shoqërinë e sponsorit të Vllaznisë, Alban Xhaferi, dhe kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, që mbërriti e fundit në stadium.

-Minuta 42. Mbrojtësi i Teutës rrëzohet në zonën e skuadrës së tij, por pa kontakt me kundërshtarin. Gjyqtari ndërpret aksionin dhe kjo e irriton trajnerin e Vllaznisë, i cili dëgjohet që i drejtohet gjyqtarit të katërt Arbër Zalla: “Është e pabesueshme!”

-Minuta 49. Portieri Frashëri dëmtohet pas një përplasjeje me shokun e skuadrës, Lorenco Vila, dhe arbitri akordon faull për Teutën. Ky vendim bën që Brdariç të shpërthejë dhe pakënaqësinë e ka kryesisht më zyrtarët e ndeshjes, kryesisht me arbitrin e katërt. E njëjta gjë ndodh edhe me përfaqësuesit e Vllaznisë të akomoduar në tribunë.

-Minuta 53. Është radha e trajnerit Edi Martini që të protestojë për një faull të akorduar kundër skuadrës së tij.

Martini Bregu

-Minuta 55. Arapi bën një ndërhyrje të gabuar ndaj Dilaverit, por Jorgji nuk i akordon karton të verdhë. Kaq ka mjaftuar që stafi shkodran të ankohet për vendimin e gjyqtarit.

-Minuta 56. Trajneri Tomas Brdariç tregon klasin e tij, pasi topin që doli jashtë vijave të fushës ai e ndal me gjoks duke ia pasur Gurishtës që ta vinte sa më shpejt në lojë.

-Minuta 79. Portieri Stivi Frashëri shtrihet në fushë pasi ka probleme në këmbë dhe kërkon ndihmën e stafit mjekësor. Në këtë rast vonesa është e gjatë dhe zv.trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, dëgjohet që i drejtohet arbitrit të katërt: “Katër minuta shtesë duhen në fund vetëm për shtrirjen e Frashërit në fushë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"