Pikante Skënderbeu-Kukësi/ Pakult çakordoi Eni Imanin, Takaj dhe Gjici shohin TV bashkë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2018 | 19:18

Pikante Skënderbeu-Kukësi/ Pakult çakordoi Eni Imanin, Takaj dhe Gjici shohin TV bashkë

-Një orë përpara fillimit të takimit të djeshëm u hapën dyert e stadiumit “Skënderbeu”, ndërkohë që të parët që mbushën shkallët e stadiumit ishin tifozët e Skënderbeut, që mezi e prisnin mbrëmjen e djeshme. Rreth 5 mijë tifozë e kishin mbushur dje stadiumin “Skënderbeu”, ku ultrasit nga fillimi deri në fund kanë qenë aktivë, por që janë larguar të mërzitur.

Tifozet e Skenderbeu

-Koreografi super kishte përgatitur grupimi e “Ujqërit e Dëborës”, ndërkohë që e shpalosën përpara fillimit të takimit. Një “ujk” që simbolizon Skënderbeun ishte pranë finishit, ndërkohë që dy persona, që tashmë dihet se kush janë, po e pengonin, ndërsa nga prapa e ndjekin ekipet e tjera. Kjo tregon se Skënderbeun edhe zinxhirët nuk kanë çfarë t’i bëjnë deri në fund të sezonit.

Koreografia e Skenderbeut

-Tribuna e stadiumit “Skënderbeu” dje ka qenë më shumë se e tejmbushur, ku në krah të njëri-tjetrit mund të veçojmë presidentin Ardjan Takaj dhe atë të Kukësit, Safet Gjici. Gjatë gjithë kohës ata kanë qëndruar bashkë duke ndjekur edhe ndeshjet e orës 14:00, ndërsa në fund Takaj i ka dhënë dorën Gjicit dhe e ka uruar për fitoren.

Nuk kanë munguar, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu. Pranë tyre ishte edhe drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, administratori Gerhard Takaj, menaxheri i suksesshëm Shkumbin Qormemeti, por edhe shumë menaxherë të huaj për të parë sulmuesin e Kukësit Sindrit Gurin dhe jo vetëm.

Takaj-Gjici

-Për Kukësin, dje luanin dy ish-futbollistë të Skënderbeut. Kujtojmë që njëri prej tyre ishte Donjet Shkodra, ndërkohë që tjetri ishte në portë dhe ishte korçari Stivi Frashëri.

-Pas vërshëllimës së fundit të takimit ka qenë trajneri Pakult që ka festuar si i çmendur më shumë nga gjithë të tjerët. Madje, për disa sekonda ai është hedhur përpjetë nga gëzimi. Më pas ka pasur festë në dhomat e zhveshjes të Kukësit dhe të gjithë kanë brohoritur emrin e Gurit, autorit të golit.

-Menjëherë pas ndeshjes, disa kamera u vendosën te dhoma e zhveshjes të Kukësit për të filmuar pjesë nga festa e lojtarëve, por ka qenë Pakult që u ka mbyllur menjëherë derën gazetarëve dhe operatorëve.

-Skënderbeu kishte plot 15 muaj që nuk mundej në shtëpi në Kategorinë Superiore. Humbja e parafundit ishte ajo e dhjetorit të vitit 2016, ku Skënderbeu u mund në atë kohë 1-2 nga Partizani, ndërkohë që dje ishte humbja ndaj Kukësit me rezultatin 0-1.

-Kukësi kishte thuajse katër vite që nuk fitonte në stadiumin “Skënderbeu” në një ndeshje Superligë. Këtë “akull” e ka thyer pikërisht dje me këtë fitore minimale.

-Trajneri Ilir Daja, stafi teknik dhe futbollistët e Skënderbeut dje janë parë më shumë se të mërzitur pas humbjes me Kukësin. Ndoshta edhe ata prisnin fitoren për të festuar titullin, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

-Gjatë ndeshjes u vu re se trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka qenë shumë impulsiv, jo vetëm në një rast, por në shumë të tilla. Fillimisht me Elton Kalenë, që po vonohej gjatë zëvendësimit të parë dhe i revoltuar është kthyer me shikim nga tribuna duke i thënë diçka Nderim Nexhipit. Kjo gjë ka vijuar edhe te goditja e dënimit e kthyer në gol nga Guri, kur Pakult i pakënaqur me zgjedhjen e Gurit dhe jo Shkodrës ka komunikuar sërish me Nexhipin.

Ndërsa kulmi ka arritur në momentin e zëvendësimit dhe futjes në fushë të Imamit, fillimisht nervoz trajneri i është drejtuar futbollistit: “Nxito, të kam thënë 5 minuta më parë të bëhesh gati, çfarë më rri akoma”. Dhe më pas, në fushë kanë qenë mbi 30 thirrje drejt lojtarit në fjalë që e kanë çakorduar futbollistin.

-Edhe Daja ka pasur një moment jo të këndshëm në këtë takim kur është kundërshtuar nga Vangjeli. Vangjeli është një nga lojtarët që nuk shkon në zonën kundërshtare gjatë goditjeve standarde, por në një moment zgjodhi të ishte brenda saj, Daja e këshilloi duke i bërë me shenjë edhe stolin, por Vangjeli kërkoi mirëkuptimin e tij dhe shkoi drejt portës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"