Pikante nga takimi Partizani – Laçi/ Murataj dhe Kordeiro lëshojnë “xixa”, arbitri pëson… tërheqje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 15:12

Pikante nga takimi Partizani – Laçi/ Murataj dhe Kordeiro lëshojnë “xixa”, arbitri pëson… tërheqje

“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes së të shtunës mes Partizanit dhe Laçit, e mbyllur me përmbysjen e kurbinasve në sekondat e fundit. Në stadiumin “Arena e Demave” ishin rreth 500 tifozë të pranishëm. Pavarësisht se orari dhe dita ishte e përshtatshme, fansat e kuq iu trembën temperaturave dhe shiut dhe nuk erdhën sa zakonisht në stadium.

demtimi xhajes

* Si rrallëherë në Superiore, ku orari nuk respektohet në maksimum, ndeshja nis fiks në kohë, asnjë sekondë me vonesë. Gjyqtari Xhaja fërshëllen në 17:00:00.

* Në minutën e 12-të shënon Partizani me Mensah. Feston i gjithë stoli i kuq, përveç Orges Shehit, që kthehet me shpinë nga fusha.

* Në të 27-ën Murataj godet nga jashtë zonës dhe topi gjen Dajkon, që mbetet i dëmtuar nga forca e topit me të cilën goditi kapiteni. Fatmirësisht rezulton vetëm një problem momental.

* Murataj dhe Kordeiro lëshojnë “xixa” në fushë. Braziliani shtrihet në tokë pas një ndërhyrjeje dhe Murataj i ngre zërin për tu çuar. Braziliani ngrihet me vrull dhe kapet me kapitenin e kuq. Ndërhyn Xhaja, që i qetëson. Murataj i jep dorën, por Kordeiro nuk pranon. Më pas përplasen verbalisht dhe Xhajës këtë herë i duhet t’u ngrejë zërin për të shuar përplasjen. Vijon loja, por pas pak sekondash ndalet për ndërhyrje të ashpër të Kordeiros ndaj Muratajt. Zënka mbyllet me karton të verdhë për brazilianin.

* Partizani humbet një top në zonën e rrezikshme, por situatën e tensionin e ul një nga djemtë e vegjël që kapin topat, duke shqelmuar një top të dytë në fushë. * Tifozët i shprehin simpatinë trajnerit Shehi, duke brohoritur emrin e tij në kor. Trajneri tregohet i ftohtë, asnjë reagim.

* Në momentin që shohin zëvendësimin e fundit të bëhet gati, Ismaili dhe Preka e marrin si me nge nxehjen. Përgatitësi atletik, Vullnet Manushi, i mban me ritëm deri në momentin që Mehmeti hyn në fushë, për të shmangur ndonjë befasi.

* Gjyqtari Juxhin Xhaja pëson një dëmtim muskulor dhe i duhet ndërhyrja e mjekëve. Fizioterapistët e Partizanit, Ergys Rexha dhe Kejdi Koshi i ndërhyjnë dhe e rikuperojnë të paktën për të mbyllur ndeshjen.  (VIDEO) Shtesa katër minutëshe duhet të zgjatet akoma më shumë për shkak të këtij episodi. Në fund i shkoi përshtat Laçit.

* Tifozët e paktë të kurbinasve, të ndodhur në tribunën VIP, u larguan nga stadiumi duke brohoritur për fitoren. Sakaq, festë u bë edhe në dhomat e zhveshjes, ku lojtarët dhe stafi nuk e fshehën entuziazmin për përmbysjen ndaj kampionëve. Te Partizani e marrin gjithçka me qetësi dhe e kalojnë në heshtje.

DENIS LALA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"