PIKANTE| Apolonia-Teuta/ Tifozët batuta me gjyqtarin Beqiri, Kamarata del nga vetja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2021 | 22:16

PIKANTE| Apolonia-Teuta/ Tifozët batuta me gjyqtarin Beqiri, Kamarata del nga vetja

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes në Fier.

Teuta

* Teuta fiton ndeshjen e tretë në po kaq ballafaqime sezonale me Apoloninë. Golavarazhi i tri takimeve: 4-0 për durrsakët.

* Blerim Krasniqi dhe Sebino Plaku kanë statusin “ish” te Teuta. I pari është aktivizuar me Apoloninë gjatë viteve 2015-2018, ndërsa Plaku në periudhën 2005-2007.

* Ajo që ka rënë në sy në këtë ndeshje, ishte mungesa e presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima dhe e drejtorit të përgjithshëm, Olsi Bregu.

* B. Agiare, S. Omeri, K. Mehmeti, A. Zaimaj, J. Krasniqi dhe E. Ejoh, plot 6 futbollistë, nuk kanë qenë në protokollin e ndeshjes kundër Teutës. Disa të dëmtuar, disa jashtë formës së duhur sportive. * Eljo Gjata, vetëm 17 vjeç, ka bërë debutimin me ekipin e parë. Sulmuesi elbasanas i Apolonisë ka luajtur 12 minutat e fundit, duke zëvendësuar Skerdilajd Levendin.

* Trajneri Edi Martini ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës, duke këshilluar lojtarët e tij. “Afrohu, Niqe!”, “Aty, Krasniq!”, “Tërhiqu, Emiljano!”, “Lorenco, aty ndalo!”, kanë qenë disa nga udhëzimet e kryepankinës durrsake.

* Fabricio Kamarata shpesh është nervozuar me lojën e të tijve, gjithashtu ka kundërshtuar disa herë edhe vendimet e gjyqtarit, çka në një moment ka sjellë dhe një sharje italisht të trajnerit të Apolonisë. Në minutën e 27-të, gjyqtari Beqiraj i ka tërhequr vëmendjen dhe e ka paralajmëruar trajnerin Kamarata.

* Ka pasur më shumë tifozë durrsakë sesa fierakë në “Loni Papuçiu”. Një tifoz i Teutës nuk ka pushuar gjatë gjithë ndeshjes, duke motivuar me zë të lartë lojtarët e skuadrës së tij “Hajde, kampionë! Hajde, çunat e dajës!”, “O arbitro, o Beqiro, do dalë Teuta e para”, kanë qenë disa nga batutat e tifozit durrsak.

* Një tifoz i Apolonisë ka lëshuar një batutë epike në fillim të ndeshjes, kur skuadrat po dilnin në fushë. “Para, çuna! Mbase nuk humbisni sot!” ka qenë shprehja e tij.

* Në minutën e 38-të, Xhekson ndërhyn ashpër ndaj Haxhiut dhe një tifoz fierak i thotë gjyqtarit Beqiraj: “Ia theu këmbën, e pashë unë. Jepi karton jeshil!”.

* Trajneri i Apolonisë U-21 e ka ndjekur pjesën e parë në tribunën A, i veçuar nga të tjerët. Në pushim të ndeshjes Çoçllit i është bashkuar trajneri i femrave, Mariglen Kule, i cili i ka bërë shoqëri gjatë pjesës së dytë.

* Në minutën e 65-të, gjyqtari ndalon lojën për një prekje me dorë të Mario Gjatës. Sulmuesi reagon me një “oooo” të zgjatur. “Këtu e kapa”, – thotë Gjata, – dhe tregon gjoksin, ndërsa kryesori Beqiraj i bën shenjën “Shttt” me gishtin tregues.

B. RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"