Pesë mungesa kundër Besës, Pepa e quan të fituar ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 23:43

Pesë mungesa kundër Besës, Pepa e quan të fituar ndeshjen

Lushnja po i jep dorën e fundit përgatitjeve për Besën, ndeshje që do ta luajnë të shtunën në “Roza Haxhiu”. Klevis Dalipi duket se ka të njëjtin hall si homologu i tij i kavajasve, pasi edhe ai duhet të bëjë llogaritë me 5 mungesa.

LUSHNJA

Veç të dëmtuarve, Elis Doksani, Ergys Alushi e Dejan Andoni, listës i shtohen edhe tre të pezulluar. Mikel Canka, Melis Haxhiu dhe Geri Selita kanë marrë kartonin e katërt, ndaj do të pushojnë këtë javë. E megjithatë, në kamp ka besim para këtij 90-minutëshi. Pak efekti fushë dhe pak mungesat e kundërshtarit, ka shtuar shpresa për fitoren. I bindur për pikët edhe sulmuesi Brunild Pepa, për “Panorama Sport” thotë:

“Skuadra i ka shfrytëzuar më së miri këto dy javë pauze dhe jemi gati për të pritur Besën. I vetmi objektiv në këtë 90-minutësh është fitorja. E kemi marrë seriozisht, pasi kavajasit kanë një ekip të fortë. Gjithsesi, ne na duhen pikët me çdo kusht dhe mbi të gjitha duhet të kënaqim tifozët në stadiumin tonë. Detyra e sulmuesve është të shënojnë dhe unë jam munduar që të bëj sa më mirë…

Kështu do të bëj edhe nesër (sot), ndonëse ajo që vlen më shumë është që skuadra të triumfojë dhe në fund të shpëtojë Lushnja. Besoj se do ta kalojmë këtë ndeshje dhe largohemi nga 4-shja e fundit. Kam shpresë, pasi kemi një ekip dhe një trajner të mirë. Kemi hedhur hapa fals në fillim, por e kemi marrë veten”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"