“Personi i ndaluar ishte lojtar stoli”, kapiteni i Shënkollit tregon sherrin: Na provokoi zv.trajneri i Orikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2021 | 11:57

“Personi i ndaluar ishte lojtar stoli”, kapiteni i Shënkollit tregon sherrin: Na provokoi zv.trajneri i Orikut

Shënkolli-Oriku degjeneroi në dhunë. Ndeshja e luajtur të shtunën nuk përfundoi. Vetëm 87 minuta u zhvilluan dhe më pas arbitri u detyrua ta ndërpriste, në një kohë që rezultati ishte 0- 1. Një karton i kuq u bë shkak për këtë situatë. Donald Kaçorri u ndëshkua dhe situata ka degjeneruar në sherr të madh, çka bëri që edhe pjesëtarët e pankinës së Shënkollit të hynin në fushë.

Memaliaj Shenkolli

Të gjithë protagonistët u shoqëruan në komisariat dhe i arrestuar, sipas njoftimit të dhënë nga vetë policia, ishte një 20-vjeçar, me iniciale A.Z. (pas hulumtimeve, rezulton të jetë Amarildo Zefi). Gazeta kontaktoi me kapitenin e shënkollasve, i cili zbuloi më shumë për këtë ngjarje.

Bledian Zefi rrëfen “Panorama Sport” se u provokuan nga zv.trajneri i Orikut dhe sqaron se personi i shoqëruar nga policia nuk ishte tifoz, por lojtar stoli i ekipit të tyre. “Loja deri afër fundit shkoi shumë mirë. Sherri nisi pas një provokimi që bëri stoli i Orikut, konkretisht zv.trajneri.

Pas disa debatesh, kanë qenë futbollistët e stolit të Orikut që kanë hyrë në fushë duke na fyer, madje edhe goditur. Personi i ndaluar nga policia nuk është tifoz, por futbollist i stolit tonë. Reagimet e tij erdhën të detyruara për vetëmbrojtje dhe mbrojtje të kolegëve.

Shpresoj që përfaqësuesit e FSHF-së do ta kenë bërë raportin, duke pasqyruar realisht atë çka ka ndodhur. Shpresoj shumë që të tilla gjëra të mos ndodhin më në futbollin tonë”, përfundoi Zefi.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

VIDEO / Përsëri dhunë në Kategorinë e Dytë, ndeshja mbyllet para kohe dhe lojtarët e dy ekipeve përfundojnë në komisariat

Pas kartonit të kuq hyri në fushë duke goditur me grushte trajnerin dhe lojtarin e skuadrës kundërshtare/ Arrestohet 20-vjeçari, policia sqaron ngjarjen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"