Përballja ndaj bardhebluve, flet Aleksi: Tiranën dimë si ta mundim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2021 | 13:49

Përballja ndaj bardhebluve, flet Aleksi: Tiranën dimë si ta mundim!

Mesfushori i Teutës, Albano Aleksi, ka qenë në krah të trajnerit Edi Martini në konferencë për shtyp, ku ka folur për sfidat që e presin ekipin. Teuta luan të dielën në 19:45 me Tiranën dhe kjo sfidë vlen për javën e pestë me durrsakët që janë të motivuar dhe kërkojnë ta nisin aty ku e lanë në ndeshjen e fundit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori i Teutës, Aleksi, flet për sfidën me Tiranën, si dhe për atmosferën në ekip.

ALBANO ALEKSI 1

Albano, vini pas një ndeshjeje ku keni shënuar, si e shihni skuadrën?

Goli nuk do të kishte vlerë nëse ne nuk do të fitonim, merita është e gjithë grupit, pasi e kishim treguar që ishim shumë mirë dhe në fund fituam.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje, besoni se do të arrini fitoren e radhës?

Ndeshja ndaj Tiranës është shumë e rëndësishme për ne pasi tregon rrugën tonë të vërtetë, do të shkojmë lart në renditje apo poshtë. Por duke parë që gjendja e grupit ka qenë shumë e mirë dhe shpresoj ta nisim aty ku e lamë.

Është barazimi i pranueshëm në një ndeshje rivalësh si kjo me Tiranën apo ju kënaqin vetëm tri pikë?

Kur luajnë dy ekipe rivale çdo gjë është e mundur, ne do të japim maksimumin tonë siç e japim në çdo ndeshje. Shpresoj të marrim më të mirën, por në futboll asnjëherë nuk dihet, mund të humbasim, barazojmë apo dhe të fitojmë, por ne futemi në çdo ndeshje për fitore.

Është kjo Teutë më e fortë se vjet?

Duke parë ecurinë deri tani nuk mund të flas, por çdo lojtar ka momentet e tij të karrierës siç i kishim vjet disa futbollistë që dhanë maksimumin dhe u shpallëm kampionë, edhe këta lojtarë që kanë ardhur sivjet i kanë plotësuar ata që janë larguar dhe janë me mentalitet fituesi, shpresoj të jemi serish në rrugën e duhur për t’u shpallur sërish kampionë.

Duke parë rivalët në kampionat, kush mendoni se do të jenë deri në fund për titull?

Ka shumë por unë dhe shokët ose më saktë vëllezërit e mi nuk shohim ekipe të tjera, por shohim punën tonë, të gjitha nga stafi teknik dhe ne lojtarët shpresojmë duke ecur me këtë frymë dhe seriozitet në stërvitje, të marrim çdo ndeshje një e nga një dhe të marrim rezultate pozitive.

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën në ndeshjen ndaj Tiranës?

Diferencën do ta bëjë fryma e grupit sepse edhe vjet fryma e grupit ka bërë që ne kemi ecur. Teuta e ka treguar që s’ka pasur ndonjë individ me cilësi të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu, me frymën e grupit të mbështesim njëri-tjetrin dhe të marrim tri pikë ndaj Tiranës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"