Pasurohet Superiorja, brenda saj ekziston një Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2014 | 14:00

Pasurohet Superiorja, brenda saj ekziston një Kombëtare

KOMBETARJA KRYESORETë paktën këtë sezon nuk mund “të qahemi” për cilësi. Po, pasi si asnjëherë tjetër në këto vite të fundit, kampionati shqiptar do të ketë në përbërjen e vet më shumë se një skuadër lojtarësh që luajnë ose kanë qenë pjesë e ekipit tonë përfaqësues. Një gjë e tillë natyrisht rrit ndjeshëm jo vetëm shikueshmërinë, por edhe interesin e tifozëve karshi skuadrave të tyre. E nëse Kukësi do të afrojë edhe Emiliano Vilën, me të cilin është në kontakte të vazhdueshme (por nuk është çudi që lojtari të zgjedhë edhe ndonjë skuadër tjetër të Superiores, varet se ku do marrë ofertën më të mirë), atëherë për edicionin 2014- 2015 në elitën e futbollit shqiptar do të luajnë plot 12 futbollistë që janë pjesë e skuadrës që drejton aktualisht trajneri italian, Xhani de Biazi. Pavarësisht se teorikisht asnjëri prej emrave të mëposhtëm nuk është zgjedhje e parë e teknikut kuqezi, vlen të theksohet se në vitet e fundit ata kanë qenë gjithnjë në spektrin e Kombëtares, natyrisht për vlerat e padiskutueshme që kanë treguar te skuadrat ku janë aktivizuar.
Afrimet Merkatoja e kësaj vere, si asnjëherë tjetër në këto 5 vitet e fundit, ka nxjerrë në pah Tiranën. 24 herë kampionët kanë bërë absolutisht dhe teorikisht afrimet më të mira, kjo pasi Debatik Curri, Ervin Bulku dhe Elis Bakaj janë lojtarë që dinë të bëjnë diferencën në kampionat si ky i yni. Bulku u afrua te Tirana, duke parë “perëndimin” e karrierës së tij, por në një moshë që mund të japë ende shumë si bardhebluve, por edhe Kombëtares shqiptare. Në rolin e tij ai është unik dhe në Superiore, absolutisht i paarritshëm. Ndërsa Bakaj erdhi te Tirana më së shumti për faktin se pas një periudhe të gjatë pa skuadër, e pati të vështirë që të gjente një sistemim të menjëhershëm jashtë Shqipërisë. gjithsesi, duke qenë në një moshë ende të re, lojtari ka shansin që nëpërmjet bardhebluve të fitojë sërish një aventurë jashtë kufijve. Ndërsa afrimi më i bujshëm është ai i kosovarit Debatik Curri, i cili pas shumë bisedimesh edhe me Flamurtarin, zgjodhi të vijojë karrierën te bardheblutë, duke pasur edhe më shumë sigurinë e grumbullimit të vijueshëm me Kombëtaren shqiptare. Me këta tre futbollistë të ekipit përfaqësues, Tirana është kthyer (të paktën teorikisht) në atë skuadrën emërmadhe që kemi njohur deri pak vite më parë, kur fitonte trofe radhazi. Por, përveç këtyre, një afrim i rëndësishëm mund të konsiderohet edhe ai i Kristi Vangjelit te Skënderbeu. Korçari, pasi luajti dy ndeshjet e Champions-it, tentoi që të gjente një sistemim jashtë, por në fund pranoi ofertën e presidentit Ardian Takaj, duke gëzuar në njëfarë mënyre më së shumti tifozët korçarë.
Konfirmimet Katër lojtarët e mësipërm i kanë shtuar bukurinë dhe cilësinë Superiores, por jo se ky kampionat ka qenë pa “yje” në përbërjen e vet. Në fakt vetëm te Skënderbeu i Korçës, kampionët në fuqi për të katërtën herë radhazi, kanë luajtur dhe vijojnë ende katër lojtarë që kanë qenë thuajse gjithnjë pjesë e kuqezinjve. Bëhet fjalë për Orges Shehin, Renato Arapin, Tefik Osmanin (i ardhur në merkaton e kësaj vere) dhe Sabien Lilaj. Këtyre u shtohen edhe: mbrojtësi i talentuar i Partizanit, Amir Rrahmani; mesfushori shkodran i Flamurtarit, Gilman Lika, si dhe vlonjati i Kukësit tashmë, Hair Zeqiri. Sakaq, nuk duhet harruar se me një këmbë në skuadrën kuqezi kanë qenë dhe mbeten edhe lojtarë të tillë si: Franc Veliu, Erjon Dushku, Erjon Vucaj (nëse firmos në Poloni), Alsid Kruja, Albi Dosti dhe Mario Morina.

Rikthimi në Superiore, De Biazi kundër
Edhe pse ka grumbulluar gjithnjë lojtarë nga kampionati shqiptar, trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, është kundër rikthimit të futbollistëve që luajnë në skuadrën që ai drejton në Shqipëri. Një gjë të tillë ai e konfirmoi edhe në një intervistë për “Panorama Sport”, para pak ditësh kur u pyet në lidhje me Currin dhe Vilën. “Kthimin në Superiore si Currit dhe Vilës nuk do t’ua uroja. Nuk kam asgjë kundër Superligës shqiptare, por niveli që prodhon më bën pesimist, ndaj gjykoj se një rikthim aty do ishte hap prapa. Vila ishte në dyshim kur aktivizohej në Greqi, kjo nisur nga fakti se luante në një skuadër të dorës së dytë (PAS Janina) dhe jo më nëse kthehet në Shqipëri. Por le të shpresojmë që ai do të gjejë një skuadër jashtë”, theksoi De Biazi.

Cilësia, vetëm 5 të huaj që luajnë në përfaqësuese
Në përgjithësi lojtarët e huaj që vijnë në kampionatin shqiptar nuk kanë cilësi, ndaj është shumë e vështirë që ndonjëri prej tyre të luajë në ekipet përfaqësuese. Nëse sezonin e shkuar kishim vetëm tre të tillë, këtë vit ky numër është dyfishuar, për faktin se Tirana ka bërë një merkato disi më cilësore. Te bardheblutë luajnë aktualisht 5 lojtarë, që grumbullohen rregullisht, madje janë edhe pjesë e formacioneve bazë në kombëtaret e vendeve të tyre. Bëhet fjalë për Francis Kahata, i cili edhe dje ishte në fushë me Kenian në ndeshjen ndaj Lesotos; Medie Kagere, që shënoi golin e kualifikimit në Kupën e Afrikës për Ugandën ditën e shtunë në përballjen ndaj Kongos; Selemani Ndikumana, që mban shiritin e kapitenit te përfaqësuesja e Burundit; Francis Olaki, i cili luan për Ugandën dhe Dirkir Glej, që luan për Kombëtaren e Liberisë. Përveç këtyre, te Skënderbeu gjejmë Bakari Nimaga, sulmues 20-vjeçar i Malit, i cili ishte edhe vjet një nga më të mirët e Kombëtares së tij në turneun mesdhetar në Turqi. Këta janë të vetmit lojtarë të huaj që luajnë aktualisht me ekipet përfaqësuese të vendeve të tyre, ndërsa ka qenë në Kombëtaren e Maqedonisë, por nuk grumbullohet më edhe Nderim Nexhipi i Partizanit. 30-vjeçari ka të paktën dy vjet që nuk është thirrur më në një ndeshje zyrtare të kësaj skuadre.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"