Pasaportë bullgare për të realizuar ëndrrën, Sadiku: Dua Interin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shkurt 28, 2017 | 15:37

Pasaportë bullgare për të realizuar ëndrrën, Sadiku: Dua Interin

Sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe Luganos, Armando Sadiku, në një intervistë të dhënë për “konica.al”, ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke sqaruar opinionin sportiv në lidhje me pajisjen me pasaportë bullgare. Ai ka treguar se ëndrra e karrierës është që një ditë të jetë sulmues i Interit.

sadiku

Është folur shumë për ndeshjen me Izraelin. Edhe ju keni qenë në linjën e futbollistëve kritikë ndaj masave ekstreme për këtë sfidë, por masat u morëm edhe për ju në fushën e lojës. Ju si e gjykoni?

Unë do thoja që nuk ka ndikuar asgjë në fushën brenda. Kemi qenë ne që duhet të jepnim 100% që të merrnim rezultat pozitiv. Ndeshja shkoi ashtu si shkoi kundër Izraelit, morëm dy kartonë të kuq dhe nuk arritëm dot pastaj të shënonim, duke u bërë shumë e vështirë. Pastaj se çfarë bëhet në shkallët e stadiumit, nuk është pjesë e jona.

Ne përqendrohemi në fushë, por normalisht që na vjen keq për tifozët tanë që ndodhin këto gjëra, sepse e dimë shumë mirë që ata janë zemra jonë, lojtari ynë i 12-të. Unë personalisht, sa herë që vesh fanellën e Kombëtares, kur autobusi futet në stadium, ose kur i sheh të gjithë shqiptarët nëpër rrugë, më shpëtojnë lotët nga gëzimi dhe emocionet. Prandaj keqardhja është më shumë për tifozët, ndërsa ne jemi profesionistë dhe nuk duhet të mendojmë se çfarë ndodh jashtë fushe.

Është përfolur për një raport miqësor me vajzën e Tramezzani-t, madje media të ndryshme kanë shkruar se jeni në një lidhje. Si qëndron e vërteta?

Nuk është asnjë gjë e vërtetë, madje Paolo kur ka ardhur duke më ndjekur në disa ndeshje, ka qenë me gjithë vajzën e tij, sepse kur kam luajtur në Lugano, kemi qenë afër. Por mes nesh nuk ka pasur asgjë, thjesht një miqësi.

Çdo gjë është bërë shumë e madhe pas një fotoje, kur vajza e Paolos ka hedhur pas ndeshjes me Rumaninë dhe të gjithë pastaj kanë folur për një lidhje, por asnjë gjë nuk ka qenë e vërtetë, përveçse kemi qenë miq shumë të mirë. Vajza e Paolos është e fejuar me një djalë italian, prandaj ky lajm nuk ka qenë asnjëherë i vërtetë dhe unë nuk jam shqetësuar kurrë për këtë gjë.

Vitin e kaluar keni qenë protagonist në formacionin e javës apo edhe me golat e shënuar, jeni rikthyer sërish, por mediat në Zvicër kanë folur edhe për pasaportën bullgare. Mund ta sqaroni opinionin?

Është e vërtetë që jam sërish në 11-shen më të mirë të javës. Çdo ditë dhe çdo javë mundohem të jap maksimumin dhe falë Zotit, jam mirë. Për sa i përket pasaportës bullgare, është një lëvizje e imja për të pasur mundësi të luaj në Evropë, në kampionate të tilla, siç është Italia dhe Anglia, që mos kem asnjë lloj problem dhe të jem i gatshëm në çdo moment, nëse do më kërkojnë. Por kjo nuk do të thotë se do ta lë Kombëtaren shqiptare, nuk e kam menduar për asnjë moment.

Duke marrë pasaportën bullgare, ku është dëshira juaj më e madhe, të luani në Serie A, Premier League apo diku tjetër?

Do kisha dëshirë të luaj në Serie A, duke e njohur akoma më shumë me anë të miqve të mi apo edhe nga Paolo Tramezzani. Besoj se më përshtatet futbolli italian dhe duke pasur edhe pasaportën bullgare, mund të luaj si komunitar.

Ëndrra juaj, ku do të kishit dëshirë të luani, në ndonjë ekip prestigjoz?

Do kisha dëshirë të luaja me një ekip të madh. Që kur kam qenë i vogël kam bërë tifo për Interin, në atë kohë luante “Fenomeni” Ronaldo dhe prandaj një ditë ëndërroj të jem sulmues i Interit. Nuk e di sa kjo ëndërr do të më realizohet, megjithatë edhe nëse luaj në një skuadër në Gjermani ose në Premier League, do të ishte perfekte për mua.

Marrë nga “konica.al”






www.minuta90.com