“Partizanin mund ta ndalim edhe në shtëpinë e vet”, Randi: Me Erzenin ia vlejti dyfish, ndaj të mëdhave shkëlqejmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 14:37

“Partizanin mund ta ndalim edhe në shtëpinë e vet”, Randi: Me Erzenin ia vlejti dyfish, ndaj të mëdhave shkëlqejmë

Fitorja me Erzenin ka çuar në majë atmos ferën në kampin bardhekuq dhe besimin se ky ekip ka një potencial të rëndësishëm për këtë sezon.

ghjg

Normalisht, edhe pse të kufizuar disi nga Gvozdenoviç, bardhekuqtë dukshëm kanë shfaqur edhe nota euforie duke e parë vendin e katërt dhe “Final 4” si një arritje të rëndësishme. Megjithatë, të ulur me këmbë në tokë, në radhët e Skënderbeut vlerësojnë si tejet të rëndësishme fitoren e fundit në shtëpi ndaj Erzenit, një ekip që ka të njëjtin objektiv, qëndrimin në Superiore. Për ganezin Randi Dumfur, kjo fitore është tejet e rëndësishme, pasi lë pas një skuadër rivale dhe në kushtet kur kampionati ka hyrë në zonën e nxehtë, një fitore e tillë vlen gjashtë pikë.

“Të jemi të sinqertë e kemi shijuar këtë fitore, pasi ishte një nga ato ndeshje që nuk duhej humbur, aq më tepër kur vinim nga ai barazim me Kukësin. Ishte një takim për t’u fituar dhe kështu bëmë, duke u treguar në pjesën më të madhe edhe të kujdesshëm, pasi ajo që mësuam nga Kukësi ishte e freskët ende. Është një nga ato fitore që vlen gjashtë pikë, pasi Erzeni është një ekip i fortë, që ka treguar gjithmonë vlera në çdo ndeshje. Nga ana tjetër kampionati po hyn në një fazë të nxehtë të tij dhe për pasojë çdo pikë e lënë rrugës ndikon negativisht, ashtu sikundër që çdo pikë e fituar ndaj kundërshtarëve direkt vlen dyfish”, theksoi fillimisht Dumfur.

“FINAL 4” – I ndalur te vendi i katërt në renditje dhe mundësia për të luajtur në “Final 4”, Dumfur nuk e ka fshehur dëshirën dhe entuziazmin për diçka të tillë, por ka frenuar shumë shpejt për të mos krijuar situata euforie dhe për të qëndruar me këmbë në tokë. “Final 4” është një objektiv, që mund ta arrijmë, pasi jemi atje dhe kemi treguar se kemi cilësi për të luajtur edhe në finalet e sezonit. Gjithsesi, është herët që të mendojmë për këtë objektiv. Fillimisht le t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të mendojmë jo më larg se ajo e radhës. Këtë e them për vetë faktin se gjithçka duhet të nisë gradualisht. Fillimisht le të arrijmë objektivin tonë minimal, që është qëndrimi pa probleme në elitë. Më pas të shohim se deri ku mund të shkojmë. Gjithsesi, nuk i fshihemi askujt. Jemi këtu për të dhënë gjithmonë më të mirën tonë”, vijoi ganezi i Skënderbeut.

PARTIZANI – Në ndeshje të mëdha, sipas Dumfurit, ekipi funksionon më mirë dhe ndoshta kjo do të ndodhë edhe për sfidën me Partizanin. Motivimi më i madh, sipas ganezit, e bën ekipin që të luajë më mirë dhe të japë maksimumin. “Është një ndeshje e vështirë, pasi luajmë ndaj kampionëve në fuqi dhe në shtëpinë e tyre. Mendoj se është një nga ato sfida, që të motivon më shumë se ndeshjet e tjera, prandaj jemi gati për të bërë më të mirën tonë. Nuk mendoj se ka ndeshje të lehta në këtë sezon, ndaj jemi mësuar kështu. Kemi treguar se me ekipet e kreut të renditjes luajmë shumë herë më mirë. Le ta bëjmë këtë gjë edhe me Partizanin”, përfundoi Randi Dumfur prononcimin e tij për gazetën.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"