“Partizani u keqmenaxhua pas 2016-ës”, Starova: I merrnim mbarë, kush na dilte para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2020 | 10:34

“Partizani u keqmenaxhua pas 2016-ës”, Starova: I merrnim mbarë, kush na dilte para

Në vitet e para të pluralizmit në Shqipëri, në fillim të viteve ’90-të, skuadra e futbollit të Partizanit u financua nga biznesmenë italianë, që në sezonin 1992-1993 u finalizua me fitimin e titullit të 15-të kampion dhe trofeun e 13-të të Kupës së Shqipërisë. Sezoni nisi me një fazë përgatitore në Itali, ku nën drejtimin e trajnerit Sulejman Starova ishin shumë lojtarë të spikatur dhe anëtarë të Kombëtares.

partizani

Periudha e izolimit nga “COVID-19” ka bërë që pjesa dërrmuese të bëhen nostalgjikë të së shkuarës duke rikthyer në kujtesë momente të bukura. Të njëjtën gjë ka bërë së fundmi edhe ish-sulmuesi i Partizanit të sezonit 1992-1993, Edmond Dosti, që në atë edicion përveç dy trofeve me ekipin, fitoi edhe “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i sezonit. Dosti në një kolazh fotosh ka postuar edhe një foto të Partizanit, dalë në verën e 1992-shit gjatë fazës përgatitore në Itali. Interesante dukej uniforma e skuadrës, ku mbizotëronte e bardha.

edmond dosti

Kjo foto e ish-sulmuesit ka ngjallur edhe nostalgjinë e ish-trajnerit Starova, i cili me komentin e tij tregon edhe momentin kur është shkrepur, pasi kishte pyetje se para cilës ndeshje ishte bërë. “Bobi” sqaron se fotoja e atij ekipi është bërë në Katania të Italisë, ku Partizani ishte pjesë e një triangolareje me skuadrën me të njëjtin emër, si dhe veteranëve të futbollit italian, pikërisht brezit të kampionëve të botës të vitit 1982.

Më pas Dosti i kërkon trajnerit të tregojë diçka të mirë rreth atij ekipi, që diktoi mbi të gjithë në sezonin 1992- 1993. Starova tregohet i prerë në përgjigjen e tij, duke lënë të kuptojë se sa i fortë ishe ai Partizan. “I merrnim mbarë, kush na dilte para Moke (epiteti i Edmond Dostit)”. Kjo ishte përgjigjja që Starova i dha ish-sulmuesit për atë ekip.

dalipi starova

KEQMENAXHIMI- Pas përgjigjes që “Bobi” i dha Dostit për atë ekip, vjen një pyetje “rrufe” nga një ndjekës i ish-sulmuesit në “Facebook”, që la të kuptonte se ishte një tifoz i Partizanit. Personi në fjalë e pyet ishtrajnerin: “Po tani profesor, si shpjegohet që nuk bëjmë dot një ekip që t’i marrë mbarë të gjithë?” Starova në përgjigjen e tij tregon se një ekip i ngjashëm me atë të sezonit 1992-1993 u krijua edhe në vitin 2016, që rezulton të jetë drejtuar sërish nga “Bobi”, skuadër e cila mundte Skënderbeun më të mirë, por që u menaxhua keq në vijim.

Ja përgjigjja e ishtrajnerit për pyetjen e tifozit: “U bë gati në 2016-ën ekipi që ‘rrihte’ Korçën më të mirë. U menaxhua keq dhe humbi shansin për të qenë kampion disa vite rresht”. Sipas Starovës, ajo skuadër nëse do të ishte menaxhuar mirë, do të ishte kampione për disa vite radhazi, por që nuk triumfoi për shkak të keqmenaxhimit, që pa dyshim barra u bie drejtuesve të asaj kohe, por edhe betejave të ashpra që klubi i kuq zhvilloi me FSHF-në.

Dosti

Me shumë mundësi “Bobi” i referohet sezonit 2016-2017, që nisi me Sormanin dhe e mbylli Starova, ekip i cili kishte në përbërje një sulmues si Ekuban, pa harruar edhe të tjerët që kishin formuar bërthamën e ekipit në 2 sezonet paraardhëse. Gjithsesi, atë që nuk e bëri Partizani i atij sezoni, u realizua vjet, por sërish nga keqmenaxhimi të kuqtë janë kthyer në identitet si një skuadër me oshilacione.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"