Partizani U-17 nxirret jashtë nga ish-kompleksi “Dinamo”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2013 | 11:30

Partizani U-17 nxirret jashtë nga ish-kompleksi “Dinamo”

Prej dy ditësh, skuadra e Partizanit U-17 nuk lejohet që të zhvillojë normalisht stërvitje te fusha e ish-kompleksit “Dinamo”. Ekipi i drejtuar nga Albert Duro nuk lejohet nga punonjësit e Agjencisë së Sporteve që të stërvitet dhe nuk i ndizen dritat për të zhvilluar normalisht përgatitjet. Prej gjashtë muajsh, paratërinjtë e kuq janë stërvitur në ish-kompleksin “Dinamo”, por dy ditët e fundit janë përballur me pengesën e Agjencisë së Sporteve. “Prej dy ditësh nuk jemi lejuar që të stërvitemi normalisht te fushat e ish-kompleksit ‘Dinamo’. Në këtë mënyrë jemi detyruar që t’i zhvillojmë seancat stërvitore në një fushë tjetër. Na është thënë që arsyeja e pengesës ka të bëjë me financat. Nuk di të them më shumë në lidhje me këtë çështje”, shprehet trajneri i U-17, Albert Duro.
Klubi I pyetur në lidhje me këtë çështje, zëdhënësi i klubit të Partizanit, Olsi Ranxhi, u shpreh: “Klubi ka qenë dhe është korrekt në lidhje me pagesën ndaj Agjencisë së Sporteve, që ekipet e moshave të zhvillojnë normalisht aty seancat stërvitore. Nuk di të them se cila është arsyeja që U-17 nuk është lejuar të stërvitet në një kohë që ne kemi qenë korrekt për pagesën e fushave. Është një vendim absurd”, thotë Ranxhi në prononcimin e tij.
Precedentët Për sa i përket klubit Partizani, edhe ekipi i parë ka pasur më parë probleme me Agjencinë e Sporteve, e cila menaxhon aktualisht fushat e ish-kompleksit “Dinamo”. Skuadra nuk është lejuar disa ditë gjatë fazës së parë të kampionatit që të stërvitej aty dhe arsyeja sipas drejtuesve të Agjencisë ishte moskorrektesa financiare.

Shala: Dua të flas me drejtuesit
E kontaktuar nga “Panorama Sport” dhe e pyetur në lidhje me moslejimin e ekipit U-17 të Partizanit që të stërvitet te ishkompleksi “Dinamo”, drejtoresha e Agjencisë së Sporteve, Klodiana Shala, u shpreh: “Kush ju tha juve për këtë çështje. Mos u merrni me deklarata punonjësish fushe. Unë flas vetëm me drejtuesit e Partizanit”, shprehet Shala në prononcimin e saj. Megjithëse është pyetur disa herë se cila është arsyeja që ekipi U-17 nuk është lejuar të stërvitet normalisht, drejtoresha e Agjencisë së Sporteve i është shmangur përgjigjes, duke thënë vetëm: “Unë nuk merrem me fushat, flas vetëm me drejtuesit”. Pritet që këto ditë të mësohet më shumë për këtë çështje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"