Partizani, standard për “yjet”. Presidenti Demi nuk pranon shifra nën 400 mijë euro për shitjen e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 17:43

Partizani, standard për “yjet”. Presidenti Demi nuk pranon shifra nën 400 mijë euro për shitjen e lojtarëve

Partizani është përpjekur prej kohësh të jetë një klub i shëndoshë financiarisht dhe të funksionojë si biznes. Pas disa vitesh përpjekje, të kuqtë mësuan nga gabimet dhe në dy vitet e fundit kanë nisur të kuptojnë se mbështetja te lojtarët e rinj më të talentuar të vendit është mënyra më e mirë për të menaxhuar klubin.

PARTIZANI

Jo vetëm kaq, por ata kanë nisur bashkëpunime edhe me akademi në Afrikë, ku kanë sjellë lojtarë mjaft cilësorë, që mund të sjellin miliona në të ardhmen. Duhet thënë se financiarisht Partizani është një nga klubet më të shëndosha dhe nuk ka borxhe në asnjë prej sektorëve.

ÇMIM DYSHEME –

Nisur nga komoditeti që i jep situata ekonomike, por edhe nga disa parime që vetë presidenti Demi po kërkon t’i vendosë, Partizani nuk ka ndërmend të bëjë shitje për “lëmoshë”, madje kërkon të vendosë standarde. Janë disa lojtarë të rinj e të afirmuar, të cilët kërkohen nga klube jashtë vendit. Partizani ka refuzuar disa oferta dhe nuk ka ndërmend të lëshojë lehtë “xhevahiret” e vet. Në klubin e kuq, për emra si Bintsuka, Cara, Mba apo edhe Hadroj, nuk kanë ndërmend të pranojnë oferta nën 400 mijë euro.

Në klub ka pasur interesime dhe propozime të ndryshme, por asnjë bindëse. Nga ana tjetër, për Rrapajn dhe Magetin, me siguri klubi kërkon të përfitojë shifra ndjeshëm më të mëdha, nisur nga mosha dhe cilësitë e tyre. Ky padyshim është një standard, të cilin Demi e mbajti me Skukën e Matondon, dhe kërkon ta kthejë në diçka normale. Ndoshta ka ardhur momenti që tregu shqiptar të rrisë çmimet.

STANDARDI I PAGAVE –

Pavarësisht se klubit nuk i mungojnë të ardhurat, Partizani nuk ka në plan të dalë nga realiteti dhe të shfrenohet me pagat. Partizani prej dy apo tri sezonesh ka vendosur një standard mesatar pagash, jo më të ulëtat, por as më të lartat në krahasim me rajonin. Te Partizani pagë normale konsiderohet një shifër prej rreth 3- 3.5 mijë eurosh dhe e lartë, 5-7 mijë euro, saç paguheshin afërisht Koçijan dhe Grezda, tashmë të larguar nga klubi.

DENIS LALA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"