“Paratë s’do të bëhen pengesë”, Miraka takohet me Bizhdilin: Më shumë vlen respekti dhe kushtet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2019 | 21:41

“Paratë s’do të bëhen pengesë”, Miraka takohet me Bizhdilin: Më shumë vlen respekti dhe kushtet

Festim Miraka drejt konfirmimit. Edhe pse verdhezinjtë dështuan sezonin që lamë pas, duhet thënë që në portë nuk u mungoi siguria. Gardiani dha garanci me pritjet e tij, ndaj edhe në klub nuk kanë në plan që ta humbasin.

Miraka

Për këtë motiv, presidenti i Besës ka nisur bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes për një tjetër vit dhe në parim duhet thënë që e kanë gjetur akordin. Ka mbetur që të hidhet vetëm firma në kontratë, e cila duket se nuk do të vonojë.

PORTIERI – Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” vetë lojtari konfirmon se është takuar me Nexhat Bizhdilin, duke i dhënë në një lloj forme qetësi për sezonin 2019-2020. Ai e pranon se kanë mbetur për t’u diskutuar disa terma financiarë, por troç e thotë se paratë nuk do të bëhen assesi pengesë.

Miraka

“Pas kthimit nga Italia, ku isha me pushime, jam ulur me presidentin. Ka qenë këmbëngulja dhe dëshira e tij për të ofruar rinovimin e kontratës. Nuk e fsheh faktin se edhe dëshira ime është të qëndroj te Besa, por në mes janë termat financiarë të kontratës. Në parim rashë dakord me Bizhdilin, pasi me plotësimin e kushteve, asgjë nuk do të më pengonte që të mbetem pjesë e ekipit. Kemi lënë një takim të dytë, ku do të saktësojmë secili pretendimet e veta. Personalisht besoj se me shumë mundësi edhe këtë vit do të mbetem pjesë e Besës.

Paratë kanë rëndësinë e tyre, pasi unë jam familjar. Por, ndonjëherë më shumë sesa paratë, vlen respekti, mikpritja, kushtet e akomodimit e të tjera si këto. Te Besa i kam gjetur të gjitha këto, për të mos thënë që është më mirë se në disa klube të Superiores”, përfundoi 31-vjeçari. Me sa kuptohet nga fjalët e Festim Mirakës, duket se firmosja e kontratës do të jetë një formalitet, derisa dëshira e të dyja palëve përputhet.

besa1

MERKATO – Klubi po punon për të kompletuar skuadrën. Edhe pse bazën e ekipit e kanë, do të bëjnë çmos që të afrojnë elementë cilësorë. Këtë vit do të tentohet me çdo kusht ngjitja në Kategorinë Superiore, ndaj edhe drejtuesit nuk do të kursehen. Rinovimi i portierit do të ishte edhe një motiv më shumë për afrimin e lojtarëve me përvojë.

E megjithatë, në klub janë të vendosur vetëm për diçka. Ata duan që, veç përvojës, ata që do të vijnë të kenë gjendje të mirë fizike. Në këtë mënyrë, u bëjnë “bllokadë” futbollistëve që mund të kenë muaj pa luajtur.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"