Palestër dhe “playstation”, ja si mobilizohet Malaj para Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 16:28

Palestër dhe “playstation”, ja si mobilizohet Malaj para Kukësit

Kamza është gati për të sfiduar Kukësin. Të vetëdijshëm që përballë do të kenë një kundërshtar të fortë, të besuarit e Klodian Duros janë duke bërë llogaritë që të mos dalin të mundur nga “Loro Boriçi” këtë të diel. Argjend Malaj tregohet i sinqertë kur thotë se edhe një pikë do të bënte punë në këtë 90-minutësh.

malaj (1)

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori kosovar nuk flet vetëm për gjendjen e ekipit dhe objektivat, por zbulon edhe pasionet e tij. Forma më e mirë për t’u motivuar dhe sidomos para një ndeshjeje delikate është palestra dhe “playstation”.

 Dëmtimi duket se ka mbetur pjesë e së shkuarës, në ndeshjen e fundit ishit ndër më të mirët në fushë…

Në fakt, isha në ditë të mirë, por edhe ekipi luajti mirë, prandaj dhe loja ime ra në sy. Normalisht që edhe unë kam nisur ta marr veten, se ka një kohë të gjatë që unë po merrem me veten time, duke u stërvitur në mënyrë të dyfishtë. Pasi mbaroj punë me skuadrën, bëj edhe stërvitje individuale. Mund të them se ishte e gjithë skuadra mirë atë ditë, kështu dhe erdhi dhe loja e ime e mirë.

Këtë të diel do të keni përballë Kukësin, një kundërshtar që pretendon titullin. Si e ndieni veten para kësaj sfide? 

Po, është e vërtetë, Kukësi ka cilësitë e veta, sigurisht që ka dhe objektivat e veta. Shpresoj që të japim 100%, që edhe skuadra jonë të dalë me rezultat të mirë nga kjo sfidë.

A do të ishit të kënaqur me një barazim, duke qenë se luhet në transfertë? 

Normalisht që do ishim të kënaqur dhe me një barazim. Kukësi ka cilësi si ekip, luan dhe prodhojnë futboll të bukur. Por sigurisht që edhe ne e kemi vlerësuar këtë takim, e prandaj mundi dhe stërvitja jonë duhet të mos shkojnë dëm. Ndoshta mund të them se nuk duhen mohuar cilësitë tona, që mund të shkojmë më shumë se barazimi.

Pas Tiranës dhe Korçës, jeni bërë pjesë e Kamzës. A jeni përshtatur dhe miqësuar me lojtarët?

Te Kamza është një ambient që është mjaft i ngrohtë dhe të tillë ambienti nuk e kam gjetur kurrkund.

Jeni larg familjes, a është e vështirë për një futbollist kur nuk ka mbështetjen e të afërmeve?

Normalisht që është e vështirë, por unë kam edhe një familje këtu në Shqipëri që më mbështet në çdo gjë. Është familja e bashkëshortes sime. Kështu që nuk është në atë përmallimin e jashtëzakonshëm. Sigurisht, prindërit e mi janë prindërit e mi dhe malli për ta kudo që të jesh është i pranishëm, por prania e familjes së bashkëshortes ma ka bërë shumë herë më të lehtë.

Veç fushës, Malaj ka edhe pasione. Si e kaloni kohën e lirë?

Koha e lirë për mua përsëri është aktive, pasi stërvitem në palestër, ose kur jam në shtëpi luaj “playstation”.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"